Vendosni fjalën kyçe....

Mjekja e urgjencës në New York i jep fund jetës


Një mjeke në New York, e cila ishte në frontin e parë të luftës kundër koronavirusit atje, i ka dhënë fund jetës.

Policia tha se Dr.Lorna Breen, e cila ishte drejtore e departamentit të urgjencës në Spitalin New York-Presbyterian Allen në Manhattan, vdiq të dielën nga plagët e vetë-shkaktuara.

Babai i 49-vjeçares, Dr.Philip Breen, i tha New York Times: “Ajo u përpoq të bënte punën e saj dhe kjo e vrau atë”.

Ai tha se vajza e tij nuk kishte pasur më parë probleme të karakterit mendor.

Vetë Lorna Breen ishte prekur nga koronavirusi gjatë punës së saj dhe pas shërimit ishte rikthyer në punë.

Por spitali e kishte dërguar atë përsëri në shtëpi. Më pas familja e mori atë në Charlottesville, që të qëndronte me ta dhe jo e vetme në qytetin e madh të New York-ut.

Plaku Breen tha se kur kishin folur për herë të fundit, vajza i ishte dukur e “shkëputur” dhe i kishte thënë atij se pacientët me koronavirus po vdisnin akoma pa i nxjerrë nga ambulancat.

“Ajo ishte me të vërtetë në vijën e parë. Sigurohuni që ajo të vlerësohet si një heroinë. Ajo është një viktimë po aq sa kushdo tjetër që ka vdekur.”– tha zoti Breen.

Sipas gazetës, Dr.Lorna Breen ishte një e krishterë e devotshme që i qëndronte shumë afër familjes së saj.  Ajo vullnetarisht ndihmonte një herë në javë në një azil për të moshuarit.

“Dr.Breen është një heroinë që solli idealet më të larta të mjekësisë në linjat e përparme sfiduese të departamentit të urgjencës.”– tha në një deklaratë spitali ku ajo punonte.

Shefja e policisë, RaShall Brackney, tha se mjekët e infermierët nuk janë imunë ndaj efekteve mendore ose fizike të pandemisë.

“Në baza ditore, këta profesionistë operojnë nën rrethanat më stresuese, dhe koronavirusi ka futur strese shtesë”– tha Brackney.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *