Vendosni fjalën kyçe....

Plagoset me thikë 23-vjeçari në “Myslym Shyr,” arrestohen dy të rinj


Policia e Tiranës ka arrestuar dy të rinj, të akuzuar për tentativë vrasjeje. Dy personat e arrestuar janë shtetasit Reis Osmërija, 21 vjeç dhe Alban Gaçi, 27 vjeç.

Ata dyshohen se kanë qëlluar me thikë, 23-vjeçarin Renato Shaulli, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në një “fast food” në rrugën “Myslym Shyri”.

“Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me pasoja të rënda.

Ndërhyrja në kohë e Shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 çoi në pranga dy shtetas, për vrasje të mbetur në tentativë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në një ambient Fast Food-i, në rrugën “Myslim Shyri”, po ndodhte një konflikt mes disa personave, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm me pasoja të rënda për jetën e një shtetasi.

Shtetasit R. O., 21 vjeç dhe A. G., 27 vjeç kishin hyrë në ambientet e një Fast Food-i, në rrugën “Myslym Shyri” dhe për motive të dobëta po konfliktoheshin me shtetasin R. Sh., 23 vjeç, duke e goditur me thikë disa herë në trup, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Ndërhyrja e Policisë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.”– thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale, grupi hetimor sekuestroi një armë të ftohtë thikë, me të cilën dyshohet se dy të rinjtë kryen veprën penale.

Policia thotë se dy të rinjtë u kapën në flagrancë: “Në përfundim të veprimeve, nga specialistët e Hetimit të Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve R. O. dhe A. G., për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Materialet e para hetimore i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për hetime të mëtejshme.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *