Prokuroria e Durrësit ka ngritur një pistë të re hetimi lidhur me vrasjen e dy vëllezërve dje në Durrës, duke bashkuar dy dosje.
Gazetarja Klodiana Lala tha se bëhet fjalë për dosjen e vrasjes së dy të rinjve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, më 2 mars të këtij viti.
Sipas të dhënave të Prokurorisë, të cilave u referohet Balkanweb, dy vëllezërit Haxhia kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore me dy viktimat e para e për këtë arsye prokurorët kanë bashkuar dosjet.
Shkoza dhe Avdia janë ekzekutuar në mars të këtij viti, më pak se 1 km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtën mënyrë e mekanizëm.
Besohet se i njëjti grup kriminal që ka qëlluar ndaj Dorian Shkozës e Anxhelo Avdias, ka vrarë edhe vëllezërit Haxhia.
Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia janë qëlluar me breshëri automatiku rreth orës 18:55 të 2 marsit, në lagjen nr. 14, në afërsi të tregut të fruta-perimeve në Shkozet. Ata po qëndronin së bashku në trotuar duke konsumuar cigare, në kohën kur janë qëlluar me automatik.
Shkoza është qëlluar me më shumë se 4 plumba në pjesën e kokës, duke ndërruar jetë në vend. Ndërsa 24-vjeçari Avdia u transportua në spital, por ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur.