Vendosni fjalën kyçe....

Pse paratë e inceneratorit u paguan me urgjencë?


Nga Klodian Tomorri

Kush duhet të përgjigjet para drejtësisë për 4 milionë eurot e inceneratorit?

Buxheti i shtetit është duke u përballur me një nga krizat më të rënda të likuiditetit në historinë 30-vjeçare të Shqipërisë kapitaliste. Pandemia ka rrudhur në mënyrë dramatike të hyrat në arkën e thesarit, ndërkohë që bllokimi i ekonomisë imponon rritjen e shpenzimeve sociale për të paguar të ardhurat e mbijetesës për qindra mijë individë që kanë humbur punën.

Për të përballuar krizën e likuditetit, qeveria ka ndërhyrë dy herë me akte normative duke ndryshuar buxhetin dhe duke shkurtuar pagesat jo emergjente për të kursyer para. Në total të dy aktet kanë prekur investimet publike dhe kanë shkurtuar rreth 30 milionë euro pagesa të kontratave koncesionare që ishin parashikuar për këtë vit. Por ekziston një koncesion, i cili nuk është prekur thuajse fare nga shkurtimet dhe vazhdon të thithë miliona euro nga buxheti i shtetit, njësoj si më parë. Ai është inceneratori i Tiranës.

Në katër muajt e parë të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia e Tiranës kanë paguar 500 milionë lekë ose rreth 4 milionë euro më urgjencë për kompaninë Integrated Energy BV SPV, e cila ka koncesionin e inceneratorit të Tiranës. Sipas të dhënave zyrtare nga Thesari i Shtetit, raundi i parë i pagesave nga buxheti për llogari të koncesionarit të inceneratorit është ekzekutuar nga data 23 janar deri në datën 3 mars. Përgjatë këtij muaji në llogarinë e kompanisë Integrated Energy, Ministria e Energjisë dhe Bashkia e Tiranës kanë paguar plot 412 milionë lekë ose rreth 3.3 milionë euro.

Por skandali nuk mbaron me kaq. Pagesa e fundit prej 80 milionë lekësh ose 650 mijë euro është ekzekutuar vetëm një ditë më parë, në datën 27 prill. Teksa qeveria po shkurton shpenzimet nga të gjitha veprat publike e madje edhe zëra të tjerë më emergjentë, teksa qindra mijë qytetarë janë në kushte mbijetese për të financuar nevojat bazë, buxheti paguan koncesionarin e inceneratorit me miliona euro.

Pra në vetëm 4 muajt e parë të vitit, inceneratorit i është paguar fatura e plotë, që buxheti duhet t’i paguante për të gjithë vitin 2020. Kjo ishte arsyeja se pse në aktin e dytë normatit të buxhetit, i cili është duke u diskutuar aktualisht në komisionet parlamentare, inceneratorit të Tiranës nuk ju shkurtua asnjë qindarkë. Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia e Tiranës kishin paguar sakaq të plotë fondin e parashikuar për këtë koncesion për të gjithë vitin duke lënë duarbosh dhe në pamundësi Ministrinë e Financave të kursente para nga kjo kontratë.

Kur pagesat e një kontrate vjetore shërbimi ekzekutohen brenda katër muajve të parë, ngrihen vetvetiu dyshime të forta. Shqipëria është një vend ku pagesat e buxhetit për bizneset, jo vetëm që nuk kryhen sipas afateve, por vonohen edhe me vite duke u akumuluar si borxhe të prapambetura. Pse paratë e inceneratorit u paguan me urgjencë? A mos vallë dikush kishte informacion se fondet për koncesionet do të shkurtoheshin për shkak të krizës dhe nxitoi që të ekzekutonte transfertat?
Këto janë pikëpyetje, të cilat duhet të hetohen me hollësi.

Kush është pompa që shtyn paratë e qytetarëve shqiptarë drejt inceneratorit edhe në krizën më të rëndë të likuditetit, e cila e ka çuar shtetin më afër se kurrë vijës së falimentit buxhetor? Madje situata është aq e rëndë sa që një ditë më parë, përmes deputetit Ilir Beqja, maxhoranca testoi në opinionin publik opsionin e uljes së pagave për punonjësit e shtetit e madje edhe uljen e pensioneve për të shpërndarë barrën e krizës. Por a ka moral një maxhorancë dhe një qeveri të kërkojë masa kaq drastike, kur buxheti i shtetit paguan para për koncesione të dyshimta, të cilat ndërthurin bashkë interesa të krimit të organizuar, korrupsionin e qeveritarëve dhe babëzinë e mbetjeve të pështira politike të hedhura në koshin e plehrave të korrupsionit.

Të gjithë këta duhet të sillen përpara drejtësisë. Ashtu si zyrtarët që gjatë kësaj kohe kanë firmosur me ngut ekzekutimin e pagesave për koncesionet, vetëm e vetëm që ato të mos prekeshin dhe kriza të bjerë mbi të pamundurit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *