Vogëlushi 3-vjeçar, i cili u dhunua barbarisht nga njerku i tij, ka dalë nga gjendja kritike për jetën.
Lajmi është bërë i ditur nga halla e fëmijës, në një lidhje me “Skype” për emisionin “Me zemër të hapur”.
Ajo tha se nipi i saj kur kishte folur për herë të parë, iu ishte drejtuar mjekut me fjalët “xhaxhi mos më rrih”.
Po ashtu ajo tha se ka komunikuar pak me të përmes telefonit.
“Fola pak me kamer me djalin, mundohej të fliste pak. Ta ndihmojmë atë fëmijë që ta kalojë atë traumë. Fola me mjekun dhe fëmija thoshte: mos më rrihni! Ato që deklarova për dhunën në familje mi ka pohuar vetë. Nëna nuk mohohet asnjëherë.”– tha halla e fëmijës, citon BW.
Historia e djalit 3-vjeçar ka tronditur opinionin publik. Në datën 24 prill, i mituri është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë, pasi kishte fraktura në gjithë trupin.
Ai kishte 7 brinjë të thyera dhe hemorragji në tru e organet e brendshme. Pas vizitës nga mjekët e spitalit, të cilët kanë parë shenjat e dhunës në trupin e të miturit, ata i kanë kërkuar policisë që të ndiqte rastin.
Për dhunën barbare ndaj fëmijës akuzohet partneri i nënës, 35-vjeçari Alfred Kazanxhi.
Ky i fundit është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, në pritje të përfundimit të hetimeve. Kazanxhi nuk e ka pranuar krimin, duke thënë se fëmija kishte rënë nga krevati dhe se ai e kishte gjetur ashtu përtokë pasi kishte dalë nga banja. Ndërsa nëna kishte qenë jashtë banese për të bërë pazarin.