Vendosni fjalën kyçe....

Granit Hyseni dentisti që dashuron kamerën


Nga Ela Wamsler

Kur dokumentari Wildlife Albania u shfaq për herë të parë, në Prill 2020, si një manifest i punës kërkimore dhe dokumentuese të jetës së egër në trevat shqiptare, pakkush i njihte ata. Djemtë nga Kosova dhe Shqipëria kishin hedhur, në këtë mënyrë, gurin e parë në fushën e dokumentarëve të kësaj natyre me realizim 100% shqiptar në përbërjen e stafit, produksion, postproduksion, zonat e eksploruara dhe ideim. Granit Hyseni, së bashku me një grup fotografësh të tjerë profesionistë dhe studiuesish të jetës së egër, kanë themeluar organizatën Wildlife Albanian Photographers (WAP). Dashuria për kafshët dhe shpendët në natyrë, e ka shtyrë atë që të marrë kamerën dhe të nisë këtë rrugëtim pasioni krejt të veçantë dhe plot rreziqe. Në dokumentarin e tyre të parë WAP kanë dokumentuar pamje spektakolare të faunës sonë në Shqipëri dhe Kosovë, në parqe kombëtare dhe zona të thella malore, duke dokumentuar me foto dhe video disa specie autentike që shfaqen për herë të parë. Për të mësuar më shumë rreth këtij projekti, i morëm Granitit intervistën e mëposhtme.

E.W.- Le ta nisim me një pyetje bazike: Kush janë Wildlife Albanian Photographers, si lindi kjo organizatë?

Granit Hyseni- Wildlife Albanian Photographers tanimë është një shoqatë jo fitimprurëse, ku fillimet e saja i kishte si një grup i mbyllur në FB dhe themeluesit e parë ishim unë dhe Arian Mavriqi. Më pas, iu bashkangjit Besnik Jakupi dhe Jetmir Troshani, apo siç i them unë ‘‘truri i WAP‘‘. Grupi filloi të rritej dukshme në fillimet e veta, ku kishte vetëm 3000 ndjekës dhe falë punës së përditshme që bënim përmes fotografive që sillnim çdo ditë, numri i ndjekësve tanimë i ka kaluar 13.000. Ne synojë që ta bëjmë me sa më shumë antarë rreth vetes, për të mirën e vendit. Përpos ne të katërve që ishim Administratore të faqes, në grup u antarësuan edhe një numër i madh i moderatorëve, ku falë punës së tyre grupi dita- dites po shkon në rritje. U jemi mirënjohës, sepse vetëm në këtë mënyrë arrijmë të përçojmë mesazhin tek të tjerët, që në vendet tona fauna, bota  e egër shtazore, duhet të ruhet dhe të mbrohet si një pasuri kombëtare.

E.W.- Një punë kolosale, e përmbledhur në një dokumentar. Sa kohë keni xhiruar për ta realizuar?

G.H.- Në fakt, ideja ishte e hershme aq sa edhe vetë formimi i grupit, mirëpo prej 2 viteve kemi filluar të merremi seriozisht me projektin, pasi në fillim u kemi dhënë përparësi ekspozitave të shumta që janë realizuar në nivel vendi dhe jashtë, pothuajse në vendet më eminente. Jo çdo gjë mund të dokumentohet vetëm me anë të fotografisë, andaj e pamë të arsyeshme të fillojmë edhe me këtë projekt madhështor në vetvete. Është me të vërtetë shumë komplekse puna aty ku kërkohet edhe arritja e cilësisë, për më tepër duke marrë parasysh se në këtë formë punohet për herë të parë. Pasi ideja ishte e imja, administratorët ma besuan mua si projekt, që t‘i jepja drejtim deri në realizimin final të pjesës së parë. Me këtë rast, unë krijova ekipin bashkëpunues, duke mos e anashkaluar Jeton Dajakaj, i cili u kujdes per montazhin e dokumentarit dhe regjinë, çdoherë në bashkëpunim të ngushtë me antarët e shoqatës. Dhe për këtë projekt janë përkujdesur afërsisht 50 antarë, studiues të fushës, profesorë, guida të ndryshme, deri tek ndihmësit, të cilët na kanë shërbyer për t‘i mbajtur instrumentet filmike.

E.W.- Lexuesi ju njeh si stomatolog dhe si këngëtar i muzikës popullore dhe asaj të lehtë… Ku e gjeni kohën për të gjitha?

G.H.- Çdoherë njeriu mund ta gjejë kohën nëse dëshiron. Kuptohet që është e vështirë t‘i menaxhosh të gjitha këto profile. Unë gjatë gjithë jetës sime jam marrë me këngën, që nga fëmijëria dhe vazhdoj akoma. Profesionin e Stomatologjisë, si specialist i kirurgjisë orale- implantolog, e kam burim primar të jetës, ndërsa fotografinë e kam pasion dhe e bëj me shumë dëshirë për tu relaksuar nga lodhja e profesionit. Të gjitha këto suksese pa diskutim që ia dedikoj dhe janë meritë e familjes së ngjushtë, bashkëshortes sime Blerinës dhe dy fëmijve të mi, Engji dhe Igli, si dhe familjes së gjerë. Familja është ajo që më jep vullnet, ma sistemon kohën, që unë të arrij drejt sukseseve. Por mendoj se duhet punuar shumë për to, duke mos e anashkakuar atë, primaren, FAMILJEN.

E.W.- Si ju lindi dashuria për kamerën? Sa vite keni që e ushtroni si pasion?

G.H.- Dashuria ndaj kamerës – aparatit fotografik është pasion i trashëiguar familjar dhe njëherit shkaktar ishte muzika. Në mënyrë profesionale kam filluar që nga dita kur kam filluar të studioj profesionin tim të mjekut stomatolog. Më shërbente për të dokumentuar rastet klinike dhe për të bërë prezantime shkencore nëpër konferenca të ndryshme. Si të tillë, unë e nisa si ‘‘Dental Macro Photographer‘‘, ku përpos kurseve të ndryshme që organizonim me mikun tim, Dr. Mentor Ismaijli, për trajnimin e kolegëve tanë të profesionit, unë shfrytëzoja kohën dhe dituritë në këtë fushë për të bërë fotografi makro të insekteve të ndryshme dhe bimëve. Detyrimisht, kjo më tërhoqi që të kaloja edhe në dokumentim dhe fotografi të shpendëve dhe kafshëve të botës së egër, ku një shtytje më dha miku im, Arian Mavriqi.

E.W- Fotografitë dhe videot që keni realizuar janë dokumentuar tashmë për tu shfrytëzuar edhe nga studiuesit shqiptarë; ato kanë hyrë, kështu, në arkivën kombëtare të pasurisë sonë natyrore. Si ju bën të ndiheni ky fakt, që pikërisht ju si ekip keni fiksuar në kamera specie të rralla e disa, madje, të padokumentuara më parë?

G.H.- Vërtet ndjehemi shumë mirë, që falë kontributit të të gjithë antarëve të grupit kemi arritur të dokumentojmë dhe të sjellim diçka të mirë për vendin, qoftë me fotografi, qoftë me video- regjistrimet. Mendoj që në këtë pikë të dy shtetet, si Shqipëria, po ashtu edhe Kosova, duhet të kontribuojnë, pasi ne kemi projekte konkrete për vazhdimin e dokumentarëve, në të cilat promovojmë fillimisht eko-turizmin e vendeve tona. Shfrytëzoj rastin të bëj thirrje që të na japin një krah bashkëpunimi, pasi dokumentari i parë (i cili pret edhe dokumentarët e tjerë në seri që të realizohen), janë bërë të gjitha me mjetet vetjake të secilit anëtar të grupit, që kanë qenë aktivë si pjesë e dokumentarit. Vendet e botës moderne ndajnë fonde milionëshe për këtë destinacion.

E.W.- Në dokumentar Jetmir Troshani, anëtar themelues i organizatës WAP, përmend dëshirën që këto imazhe të katalogohen dhe të printohen në pulla postare, postera etj, si dhe të ekspozohen në institucione kombëtare. Keni gjetur mbështetje konkrete për këtë ide?

G.H.- Fillimisht, neve na janë dashur njohjet, kontaktet. Këtë punë e kemi bërë me përpikmëri dhe shumë djersë, duke u prezantuar fillimisht pranë njerëzve që na ndjekin, si edhe ndaj institucioneve përkatëse. Me dokumentarin e prezantuar unë mendoj që shteti e ka “lojën“ tani që t‘i lëvizë gjërat, sepse ne e dëshmuam veten. Deri më tani, kemi pasur vetëm takime konstruktive, shumë pak realizime. Kuptohet, çdoherë duke i falenderuar për përkrahjen morale që na kanë dhënë, me përjashtim të Ambasadave të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat morën përsipër organizimin e disa ekspozitave që u realizuan. Presim bashkëpunim dhe jemi të hapur ndaj çdokujt që dëshiron të kontribuojë në këtë drejtim, si organeve shtetërore, po ashtu edhe shoqatave të ndryshme dhe sektorit të biznesit privat.

E.W.- Çfarë do të vijojë pas dokumentarit të parë? Dhe sa larg e shihni vizionin e organizatës?

G.H.- Në fakt, duhet të mos anashkaloj idetë që çdoherë na i servir Jetmir Troshani, po ashtu edhe të antarëve të tjerë. Pra, shumë nga këto ide tani me projekte konkrete janë permendur edhe në dokumentar dhe presim t‘i bëjmë realitet. E para, bashkëpunimi me ministritë e arsimit, të cilët nuk kanë nevojë që fotografitë e autorëve të huaj t‘i fusin në librat shkollorë, pasi fotografitë tona janë autoktone, marrë nga vendet tona, për të njëjtin subjekt në fjalë. Po ashtu, me një kualitet akoma më të madh se fotografitë aktuale. Gjithashtu kontarart janë më të favorshme për ato fotografi, si dhe është prodhim vendas. Njëherësh, vazhdimin e dokumentarëve të tjerë, ku ky i pari hedh dritë se cilat seri na presin në vazhdim dhe shumë e shumë projekte të tjera.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *