Vendosni fjalën kyçe....

“Të babëzitur” – Pse Taylor Swift është në konflikt me familjen e George Soros-it


Taylor Swift është futur në një betejë publike me familjen e miliarderit George Soros, ndaj të cilëve është shprehur mjaft ashpër mbrëmjen e së enjtes së kaluar në një postim në “Instagram”.

E ky është vetëm episodi më i fundit, i një konflikti të vazhdueshëm mes yllit të popit me menaxherin Scooter Braun.

Taylor Swift e përmendi familjen Soros në emër, duke thënë se po përpiqen të fitojnë para në kurriz të saj edhe gjatë periudhës së koronavirusit.

“Dua të falënderoj fansat e mi që më njoftuan se kompania ime e mëparshme e regjistrimit po nxjerr një ‘album’ të shfaqjeve të mia live sonte ”– shkroi Swift në Instagram.

“Ky incizim është nga një performancë në radio në vitin 2008 që bëra kur isha 18 vjeç. Big Machine ka shënuar si datë publikimi vitin 2017, por ata në të vërtetë po e publikojnë atë sonte në mesnatë. Unë jam gjithmonë e sinqertë me ju djema për këtë gjë, kështu që thjesht dua t’ju them se ky publikim nuk është aprovuar nga unë. Duket se Scooter Braun dhe mbështetësit e tij financiarë, 23 Capital, Alex Soros dhe familja Soros dhe Grupi Carlyle kanë parë bilancet më të fundit dhe e kanë kuptuar që duke paguar 330 milionë dollarë për muzikën time, nuk ishte saktësisht një zgjedhje e mençur dhe atyre u duhen para.”– shkruan këngëtarja.

Postimi i Swift

Konflikti i Swift me Soros është çështje biznesi, jo politike. Këngëtarja, e cila për vite me radhë i mbajti për vete qëndrimet politike, për herë të parë ka folur vitin e kaluar duke dalë në mbështetje të Aktit të Barazisë dhe disa kandidatëve demokratë. Kjo do të thotë se politikisht ajo dhe Soros qëndrojnë në të njëjtën anë.

Por familja Soros është futur në konflikt me Swift, pasi në 2019-ën vendosi të blejë gjithë trashëgiminë e saj muzikore. Pra të gjitha këngët që Taylor Swift ka regjistruar me kompaninë e saj të vjetër të regjistrimit, Big Machine. E këngëtarja nuk ka më asnjë të drejtë pronësie mbi këngët që ajo vetë ka shkruar e kënduar.

Siç shkruan Washington Examiner, kur Swift hyri për herë të parë në skenën muzikore si adoleshente, ajo nënshkroi me Big Machine Records, e themeluar nga Scott Borchetta.

Por në vitin 2018 u shkëput nga kjo kompani duke u bashkuar me Universal Music Group’s Records.

Swift pretendon se ajo iu lut Borchetta-s që ta linte të blinte përsëri muzikën e saj, por ai i tha se do ia shiste rekordet një nga një nëse ajo do regjistronte përsëri muzikë për të.

Swift pretendon se për të ishte e pamundur të pranonte, sepse ajo e dinte se Borchetta do ta shiste Big Machine për pak kohë.

E Borchetta e shiti të gjithë muzikën e këngëtares nga viti 2006 deri në 2017-ën tek Scooter Braun, me të cilin Swift kishte konflikte. Kjo sepse ai përfaqësonte këngëtarë si Kanye West, të cilët e kishin bullizuar atë për vite me radhë.

E me sa duket, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Braun është kompania “Ithaca Holdings”, e Alexander Soros, djali i miliarderit George Soros.

Swift pretendon se Soros ndihmoi Braun të blinte të gjithë regjistrin e saj origjinal në vitin 2019. E tani ajo thotë se Soros po përpiqet të rifitojë paratë në këtë kohë të pandemisë, që i ka shpenzuar  kur bleu të drejtat e autorësisë së muzikës së Swift. Ajo shkruan: “Për mendimin tim… ky është vetëm një rast tjetër i babëzisë së paturpshme në kohën e koronavirusit. Pra, pa shije, por shumë transparente “.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *