Këshilltari ekonomik në PD, Dorian Teliti, deklaroi ditën e sotme se ekonomia po përkeqësohet dhe se paketat e ndihmës që ka marrë qeveria janë të pjesshme.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me News24, ai tha se qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme për të ndihmuar biznesin që të mos falimentojë.
Sipas Telitit, më shumë se 60 mijë familje nuk kanë të ardhurat minimale për të jetuar.
“Dy paketat që ka ndërmarrë qeveria janë të pjesshme. Ne propozojmë që çdo biznes që ka nevojë për mbështetje minimale. Duhet të mbështetet me fonde buxhetore, pasi ato do të falimentojnë. Do kemi dhe problematika sociale në rritje. Janë 60 mijë familje që nuk kanë të ardhura minimale për të jetuar. A duhet të jetojmë ne një vend që qeveria ka para për oligarkë dhe për tendera sekretë, për abuzimet që bën, po nuk ka para për ti dhënë një pagesë financiare familjeve në nevojë?!” – tha Teliti.
Më tej ai tha se qeveria nuk i mori seriozisht paralajmërimet e PD-së lidhur me mbylljen e fasonerive duke i kthyer ato në burim infeksioni për Covid-19.
Lidhur me pretendimin e qeverisë se nuk ka buxhet për të ndihmuar më shumë qytetarët, Teliti tha se të ardhurat janë mjafton që të mos paguhen koncesionet e oligarkëve të Ramës.
“Janë 70 mijë familje që punojnë në fasoneri. Janë 760 biznese që punojnë. Pjesa më dërrmuese e tyre janë gra, gra familjare. Pagat në këto fasone janë të ulëta. Ne kemi kërkuar që në momentin e parë të pandemisë, duke qenë se këto biznese janë me shumë njerëz, që të mbylleshin këto biznese, në mënyrë që të mos kemi kontaminim të njerëzve. Vetëm para disa minutash kemi një rast tjetër të një fasonerie këtë afër Tiranës. Nëse një person preket, ai rrezikon dhe persona të tjerë. Fatkeqësisht situata ka dalë jashtë kontrollit. Kostoja ishte 15 milionë euro në muaj. Pse nuk i ka qeveria aq? I ka. Pasi ka 40 mln euro për shërbime luksi dhe për koncesionet. Ka fonde rezervë. Paratë janë dhe gjenden. Nuk kemi para pa fund. Për të menaxhuar 3 muajt e parë të krizës, për t’i ardhur në ndihmë fasonëve, dhe call center-ave, biznesit të vogël dhe të madh, konsumatorëve, jua siguroj se me paketën e PD, situata do menaxhohej.” – shtoi Teliti.