Zëdhënësi i qeverisë në detyrë i Kosovës, Përparim Kryeziu ka bërë me dije se do i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentit për të mandatuar emrin e ri për kryeministër.
“Jemi në pritje të këtij dekreti, përmbajtjen e këtij dekreti dhe referimi që bëhet nga Presidenti mbi hapat e tij drejt formimit të qeverisë dhe mbi këtë përmbajtje do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”- ka thënë Kryeziu.
Kryeziu ka thënë se mospublikimi i këtij dekreti është shprehje e gatishmërisë për të bërë veprime që janë ndesh me kushtetutën.
“Ne kemi shprehur bindjen tonë dhe besojmë që interpetimi ynë është i drejt kur themi se veprimet e radhës të presidentit duhet të jenë ato që çojnë deri te shpallja e zgjedhjeve të parakohshme pasi që të kalojë pandemia dhe jo formimi i një qeverie të re”-ka thënë ai për Rtv Dukagjini.
Ai poashtu ka thënë se do të kërkojnë opinion edhe nga Komisioni i Venecias
“Për një kërkesë për opinion do t’i drejtohemi edhe Komisioni të Venecias, duke qenë të bindur që një opinion prej një institucioni të pavarur do të ndihmojë në sqarimin e kësaj situate kushtetuese por në të njejtën kohë do t’i shërbente edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese ashtu që ai të jetë sa më i drejtë dhe sa më kredibil”- ka thënë zëdhënësi i qeverisë.