Shqiptari që vrau dhe groposi në oborrin e shtëpisë vajzën e tij është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata greke në Thesproti.
Gazeta Protagon.gr shkruan se trupa gjykuese e dënoi 52-vjeçarin shqiptar A.P, me burgim të përjetshëm për vrasjen e vajzës si dhe me 30 muaj burg për mbajtjen e një arme zjarri dhe 1.000 euro gjobë.
Shqiptari akuzohet se vrau vajzën e tij 28-vjeçare, Angeliki Petrou, në festat e Vitit të Ri 2019, dhe më pas e groposi atë në oborrin e banesës ku jetonin në Korfuz.
Në gjykatë ishin të pranishëm partneri i vajzës dhe vjehrra e saj, ndërsa nëna që jeton në Berat nuk mundi të ishte e pranishme në Gjykatë për shkak të masave të marra kundër pandemisë së COVID-19.
Pala mbrojtëse u mbështet në nenet 34 dhe 36 të Kodit Penal grek, duke pretenduar se i pandehuri nuk kishte ndërmend të kryejë krimin në një gjendje shpirtërore të qetë. Por se situata ka përshkallëzuar për shkak të zemërimit dhe tërbimit në një gjendje të rënduar psikologjike, pas një sherri me vajzën e tij.
Vitin e shkuar, mediat greke raportuan se më 1 janar, Angjeliqi Petru u vra me një levë nga babai i saj, për shkak se nuk pranonte të ndahej nga i dashuri, i cili ishte emigrant nga Afganistani. Lidhje të cilën babai e kundërshtonte.