Nëse pandemia e COVID-19 ka futur në krizë shumicën e bizneseve në vend, një pjesë e tyre kanë filluar të kalojnë në tregtinë online si një mënyrë për të mbijetuar.
Por platformat që ofronin shërbim online janë në avangardë, për shkak të popullaritet që e kishin tashmë. E një nga sektorët që ka shënuar mjaft rritje në këtë periudhë është edhe ai i shitjes së librave online.
Së paku në këtë përfundim arrin CEO-ja i një kompanie të tregtisë së librave online. Gjatë një diskutimi lidhur me transformimin e profileve të disa kompanive në shërbimin online dhe mundësitë që sjell kriza, Valer Pinderi tha se është 4-fishuar shitja e librave, që do të thotë se automatikisht është rritur edhe leximi.
“Shumë… mund të jetë rritur 4-fish aktualisht, por e rëndësishme është se ne nuk kemi bërë përpjekje për ta rritur. Kemi arritur në një kapacitet që e kemi shumë të vështirë të plotësojmë të gjithë nevojat, shtëpitë botuese janë një pjesë të mbyllura, domethënë ka shumë vështirësi dhe ne pothuajse jemi në heshtje. Nuk është se po bërtasim “blini libra, blini libra”. Është thjesht që ata duan të blejnë dhe rrjetet tona sociale janë gjatë gjithë kohës aktive.”– tha Valer Pinderi, CEO-ja i kompanisë Nettrade Albania shpk, pjesë e së cilës është edhe faqja online dedikuar shitjes së librave bukinist.al.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një leksioni të hapur të zhvilluar online, me studentët e Kolegjit Universitar Bedër, në lëndën “Komunikim Biznesi” me lektore Valmora Gogon. Leksioni i hapur ishte rezultati i projektit të studentes, Amantia Kullolli.
Pinderi u tha studentëve se kriza e krijuar nga pandemia i ka kapur të gjithë të papërgatitur, dhe bizneset e shitjeve me pakicë po mundohen të fitojnë një pjesë të shitjeve të tyre nga sektori online. Por sipas tij kjo është shumë afatshkurtër, sepse sektori online ka kompleksitet shumë të madh dhe për momentin mundet që të ketë shitje dhe interes, por do vijë një pikë ku do ketë nevojë për shumë ndryshime dhe shumë përshtatje për të kapur ritmin./Hashtag.al