Aktori amerikan Harrison Ford po hetohet për një incident që ka ndodhur javën e kaluar në një aeroport në Kaliforninë e Jugut.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha se ai ishte duke pilotuar një aeroplan të vogël që gabimisht kaloi në një pistë, ku po zbriste një avion tjetër.
Avionët ishin rreth 1,100 m afër të njëri-tjetrit në aeroportin e Los Angeles-it të premten e kaluar. FAA tha se nuk kishte asnjë rrezik për një përplasje.
BBC shkruan se aktori 77 vjeçar, e pranoi gabimin e tij dhe kërkoi falje.
Përfaqësuesi i aktorit tha në një deklaratë se Ford kishte “gabuar” një udhëzim nga kontrolli i trafikut ajror.
“Askush nuk u lëndua dhe kurrë nuk ekzistonte rreziku i një përplasjeje”, thuhet më tej në deklaratë.
Kjo nuk është hera e parë që Ford, është përfshirë në aksidente ajrore. Në vitin 2017, ai fluturoi ulët mbi një aeroplan të American Airlines me 110 pasagjerë dhe ekuipazh në bord, në aeroportin e John Wayne të Kalifornisë. Askush nuk u lëndua, dhe FAA vendosi të mos ndërmarrë asnjë veprim.
Ndërsa në vitin 2015, aktori u plagos kur u rrëzua me avion në një fushë golfi në Los Angeles.