Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka deklaruar se vendi ynë ka ndërprerë nxjerrjen e naftës për shkak të goditjes që ka pësuar ky sektor nga pandemia dhe ulja e çmimit të naftës që kjo ka sjellë.
Balluku tha se kompania shtetërore Albpetrol ndodhet në një situatë shumë të vështirë. Ajo informoi gjithashtu se punonjësit e rafinerisë së Ballshit i kanë marrë pagat e tyre.
“Do doja t’ju informoja, sidomos deputetët e zonës së Fierit, se vendimi i qeverisë për dhënien e pagës për të gjithë punonjësit e rafinerisë së Ballshit tani është realizuar. Mbi 790 punonjës kanë marrë pagën e akorduar prej 40 mijë lekësh dhe këtë e kemi sistemuar.
Një çështje tjetër që ka të bëjë me sektorin e naftës, një nga sektorët më të goditur është edhe situata e kompanisë shtetërore Albetrol, e gjendur në një situata shumë të vështirë pasi në këto momente çmimi ka arritur në nivelin më të ulët, shpesh herë edhe negativ, kemi qenë të detyruar që për shkak të depozitave të mbushura pusettona të mos jenë më operative. Një vendim tjetër që kemi marrë, është se është pezulluar deri në një vendim të dytë procesi i ristrukturimit që kemi nisur prej muajsh”– tha ministrja.
Balluku foli edhe për çështjen e riatdhesimeve. Ajo tha se deri tani janë kthyer në atdhe 2350 qytetarë, ndërsa deri në në 5-6 maj ky numër pritet që të shkojë në 3200.
“Deri më sot kemi sjellë 2350 qytetarë dhe parashikohet që deri në datën 5-6 maj të kemi arritur mbi 3200 të riatdhesuar, të cilët janë ndodhur jashtë vendit në momentin e mbylljes së kufijve.”– tha Balluku.
Karantinimi vazhdon të jetë i detyrueshëm, dhe të vetmet raste përjashtimore janë ata të pacientëve me diagnozë të rëndë apo rastet e minorenëve. Në këto raste e gjithë familja është e detyruar të vetëkarantinohet dhe policia ndjek gjithë ecurinë e familjes.