Mjeku Pëllumb Pipero deklaroi ditën e sotme se muaji maj do e gjejë vendin shumë më të relaksuar dhe se gjatë verës do jetë mundësia që njerëzit të shkojnë të pushojnë në plazh.
Në një lidhje të drejpërdrejtë me A2, Pipero tha gjithashtu se ekziston mundësia e një vale të dytë të Covid-19 në vjeshtë e dimër.
“Po shtohet çdo ditë numri i pacientëve që shërohen dhe numri i rasteve të rënda është më i reduktuar. Natyrisht, media preferon më shumë lajmin, preferon të tregojë rastet e reja pozitive, por këto raste janë asimptomatike dhe nuk janë tregues i epidemisë. Epidemia po kalon dhe po bie në mënyrë të qëndrueshme. Faza e dytë zgjat pak më shumë, por duhet ta dimë që virusi është ende duke qarkulluar mes nesh. Duhet të jemi të kujdesshëm për të shikuar ritmin e transmetueshmërisë. Nuk mund të jemi tërësisht të sigurt pa pasur vaksinë apo ilaç kundër Covid-19. Por, muaji maj do të na gjejë shumë më të relaksuar.” – tha Pipero.
“Mundësia e rikthimit në verë është e vogël, por mendoj se mund të ketë valë të dytë në vjeshtë apo dimër. Jam besimplotë që do të kemi një verë të shëndetshme dhe do të kemi edhe plazhe.” – shtoi ai.