Vendosni fjalën kyçe....

Pse vizita e Thaçit në Tiranë po bën kaq shumë zhurmë


Vizita e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pas Begjet Pacollit në Shqipëri ka krijuar mjaft debate. Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se presidenti Thaçi nuk e kishte njoftuar ministrinë e Jashtme për vizitën në Shqipëri, ndonëse këtë ia kërkon protokolli.

“Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e policisë kufitare që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kaluar kufirin shtetëror pak para orës 18:00 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer në Kosovë, pak pas orës 19:00, kur eskorta e presidentit është ndaluar është konstatuar se në veturën e dytë ndodhet presidenti”, ka thënë Sveçla.

E po ashtu ai ngriti dyshime se deputeti Pacolli ka qenë në të njëjtën makinë me Thaçin, duke thënë se nëse kjo është e vërtetë, Pacolli duhet të vetëkarantinohet.

“Nëse deputeti i Kosovës ishte në veturën e presidentit me sjelljen e treguar ka shkelur me vetëdije të plotë rregullën për karantinim. Ne i kërkojmë presidentit që të përgjigjet pse ka vendosur të bëjë tejkalimin e protokollit shtetëror, ndërsa Pacollit i kërkojmë të shprehet menjëherë se ku është, përndryshe nëse shfaqet në publik në një moment të caktuar brenda territorit, policia do të marrë masat e parapara me ligj”, ka deklaruar Sveçla.

Sveçla e paralajmëron Pacollin, se nëse ka hyrë në mënyrë klandestine, për t’i ikur masave të karantinimit në Kosovë, atëherë ka bërë shkelje penale.

E presidenti Thaçi reagoi pas deklaratave të Sveçlës, tha në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Dukagjinin.

Ai tha se po qëndronte në shtëpinë e tij, ndërsa ka akuzuar Sveçlën e Kurtin se po kërcënojnë deputetët.

“Fillimisht ajo që dua të sqaroj është kjo, që prej çlirimit të Kosovës e deri dje kur kam dalur dhe hyrë në relacionin Kosovë-Shqipëri, kam hyrë me procedurat e njejta. Tash e 20 vite. Ndërsa për interesimin e Sveçla e Kurtit si ndërmarrje kriminale që është shndërruar e që i intereson lokacioni im, unë jam në shtëpi.

Po dhe sa i përket masave të tjera, duhet të mendojnë që të mos krijojnë konfuzion, shpifje, marrëzira, dhe të mos kërcënojnë njerëzit e politikës dhe as deputetë, sepse kësaj radhe dhe zotin Pacolli janë duke e intimiduar.”– tha Thaçi.

Ai shtoi se Pacolli nuk kishte qenë në një makinë me të.

“Kjo është një një shpifje tjetër ordinere, por në fakt është një kërcënim dhe shantazh që i bëhet deputetëve dhe shumë të tjerëve në këtë kohë të këtyre njerëzve të coroditur që i përngjajnë njerëzve të viteve ’70 të sistemeve moniste dhe ndjekjeve politike.”– përfundoi Kurti.

Ku qëndron problemi?

Pas një vizite nga Zvicra, qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar Behgjet Pacollin që të kthehet në Kosovë, pa qëndruar më parë 14 ditë në karantinë në Qendrën e Studentëve.

Por Pacolli ka akuzuar qeverinë në detyrë të Kosovës se nuk po e lejon të kthehet nga Zvicra në Kosovë për të kryer detyrat e tij “si deputet i zgjedhur në mënyrë demokratike” e ka kërkuar që të karantinohet në shtëpinë e tij e jo në Qendrën e Studentëve.

Më pas këshilltarët e tij, thanë se Pacolli udhëtoi për në Shqipëri e po qëndron në apartamentin e tij në Tiranë.

Qeveria e Kosovës thotë se rregullat e karantinimit për këdo që futen në vend nga jashtë janë të njëjta.

E si për ti hedhur dru zjarrit, pas mbërritjes së Pacollit, në Tiranë erdhi dhe Thaçi. Kjo pa lajmëruar Ministrinë e Jashtme, siç e kërkon protokolli. E dyshohet se vizita e tij në Tiranë ka patur si synim pikërisht takimin me Pacollin. Pas kësaj, ministri Sveçla siç e përmendëm më lart, ngre dyshime se ai ka sjellë Pacollin klandestinçe në Kosovë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *