Vendosni fjalën kyçe....

Studentët rikthehen në auditore, ata që diplomohen në qershor, të tjerët në gusht


Ministrja e Arsimit Besa Shahini, ka zbuluar se çfarë ka vendosur lidhur me mbylljen e vitit akademik të universiteteve që aktualisht po e zhvillojnë mësimin online.

Ajo zbuloi se sot ka nxjerrë një urdhër sipas të cilit universitetet duhet të rinisin mësimin në auditor, por sqaroi se do të ketë një ndarje mes atyre që diplomohen dhe studentëve të tjerë të vitit të parë dhe të ndërmjetëm. Kjo për të shmangur grumbullimin e tyre.

Shahini tha se është parë e nevojshme që të ketë disa javë mësim në auditor pasi mësimi online nuk ka qenë gjithmonë me efekt.

“Universitetet kanë autonomi akademimi dhe riorganizimi i punës në kushtet e pandemisë, ishte një detyrë që i takonte univeritetit ta realizonte për të gjithë studentët. Të gjitha universitetet i janë përgjigjur kësaj sfide të re, duke e kaluar një pjesë të mësimit online.

Por jo të gjitha universitetet i janë përgjigjur kësaj sfide në të njëjtën mënyrë, duke marrë parasysh dallimet në infrastrukturë, përgatitjet dhe gatishmërinë e pedagogëve të kalojnë online si dhe strukturën apo gatishmërinë e studentëve për të punuar në kushte shtëpie në metoda online.

Edhe për lëndët që kanë kaluar plotësisht online, dhe kanë patur pjesëmarrje të mirë nga studentët, nga mesazhet tuaja e kuptoj se jo gjithmonë kanë mirëmbajtur të njëjtin standard të auditorëve.

Nisur nga kjo, vërehet se është nevoja për të kaluar kohë në auditor përpara provimeve për studentët që bëjnë përsëritje përpara provimeve, po të tjerët që kanë nevojë të bëjnë punë laboratorike.

Si mund të realizohet kjo në kushtet e pandemisë që jemi sot? Zv.ministri Rrumbullaku ka mbajtur një komunikim të rregullt me gjithë rektorët e universiteteve, për të ndjekur ecurinë e mësimit online dhe për të zhvilluar gjithë punën që po zhvillohet sivjet.”– tha Shahini.

Ministrja Shahini tha se ata që janë për t’u diplomuar do të kthehen në auditore për 3-4 javë në muajin qershor kurse provimet dhe riprovimet do i zhvilojnë në korrik dhe javën e parë të gushtit.

Ndërsa studentët e tjerë do të kthehen në auditore nga 25 gushti deri në fund të shtatorit dhe provimet do i zhvillojnë në tetor. Viti tjetër akademik do nisë në nëntor 2020.

Çfarë është vendosur për studentët:

Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, nxorri sot një urdhër që kërkon nga universitetet publike marrjen e disa masave për mbylljen e drejtë dhe të suksesshme të vitit akademik.

Urdhri ka katër elementë kryesorë.

1- Të prioritizohet puna me studentët që diplomohen në të gjitha ciklet. Mësimi online i ka vendosur në situatë të pabarabartë studentët, duhet të mundësohet kthimi në auditor për përsëritjet apo dhe seminare dhe laboratore për një periudhë 3-4 javore gjatë qershorit 2020.

Provimet dhe riprovimet për studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimit, zhvillohen në muajin korrik dhe javën e parë të gushtit.

2- Të gjithë studentët e tjerë të viteve të para dhe të ndërmjetme në të gjitha ciklet, kthehen në auditor më 25 gusht të vitit 2020, për një periudhë 3-5 javore, deri në fund të shtatorit. Në varësi të nevojave që kanë për përsëritje apo punë laboratorike.

Ndërkohë vazhdon mësimi online dhe mbyllen të gjitha lëndët që mund të kryhen në kushte shtëpie.

Provimet dhe riprovimet për këta studentë, do të zhvillohen në tetor të vitit 2020.

Grupimi i tillë i studentëve është i domosdoshëm që të minimizohet numri i studentëve nëpër auditore, klasa, apo laboratore dhe të krijohen kushtet për higjenizimin dhe pastrimin që është i domosdoshëm në kohën që po kalojmë dhe të sigurohet distancimi social.

Universitetet publike, sidomos pas dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i vitit 2019 punojnë në shumë turne dhe grumbullojnë numër të madh të studentëve në të njëjtën kohë. Kjo s’mund të ndodhë më në ksuhtet që po jetojmë tani. Studentët e viteve të para dhe atyre të ndërmjetme, mund të planifikojnë të mos jenë në auditore deri në fund të gushtit.

Besoj se ky është informacion i rëndësishëm për ju që banoni me qera apo konvikte. Ju lutem pyetjet për konviktet, i drejtoni tek stafi i konviktit sepse ata ju vijnë në ndihmë në këto pyetje. Ata kanë marrë vendim për rimbursim.

3- Elementi i tretë i urdhrit tonë ka të bëjë me mësimin online, i cili vazhdon deri në përfundim të orëve të parashikuara. Të gjithë studentëve të Universiteteve publike u kemi dërguar një sondazh ku pyesim për eksperiencën e tyre gjatë punës online dhe kjo na jep informacion për suksesin që ka patur procesi i mësimit online. Ju lutemi plotësojeni, ne na ndihmon shumë të organizojmë punën për vitin tjetër akademik.

4- Elementi i katërt i urdhrit tonë ka të bëjë me përfundimin e vitit akademik, i cili do zgjatet me dy javë. Nuk zgjatet më shumë dhe viti tjetër fillon në nëntor të vitit 2020./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *