Jorida Tabaku ka nxjerrë blof ministrin Ahmetaj, lidhur me deklaratat e këtij të fundit në Kuvend ditën e sotme se qeveria shqiptare ka dhënë si ndihmë ekonomike me rastin e pandemisë Covid-19, 5.7% të PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto).
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku, ka publikuar një raport të FMN-së (Fondi Monetar Ndërkombëtar) sipas të cilit Shqipëria ka dhënë si ndihmë vetëm 0.8% të PBB-së së saj.
Tabaku shkruan se qeveria ka gënjyer publikisht lidhur me ndihmën ndërsa po vijon të bëjë pagesat për oligarkët që vetëm këtë vit do marrin 250 milionë euro, thekson ajo.
“T’ju them që qeveria gënjen për masat ekonomike, për mbështetjen për ndihmën sociale dhe për pakot ushqimore dhe se këto gënjeshtra bajate i përdorin me shpresën se do t’ia hedhin lumit, nuk po them diçka të re. Por, për t’iu përgjigjur thesit të madh të gënjeshtrave që dalin nga goja e qeverisë gënjeshtare po ju rreshtoj disa argumente dhe shifra. Meqë kjo qeveri i ka alergji të dyja.
Ministri Ahmetaj, i njohur për aftësitë manipulatore, deklaroi se qeveria ka dhënë ndihmë ekonomike 5.7% të PBB-së. Fondi Monetar Ndërkombëtar sapo ka publikuar raportin ku evidenton se Shqipëria ka dhënë mbështetje ekonomike dhe ushqimore 0.8% të PBB-së, 109 milion euro. Nga të cilat qeveria ka paguar 27 mln euro dhe 9600 pako ushqimore.
Kjo ndihmë ekonomike që nuk i përafrohet as 1% të PBB-së dhe që është shpërndarë po aq sa marrin PPP e inceneratorëve, po fshihet paturpësisht me gënjeshtra qeveritare.
Deri më tani qeveria që gënjen publikisht i ka vjedhur shqiptarët duke rritur taksat me mbi 50%, duke sajuar taksa për biznesin dhe duke shpikur ulje për oligarkët. Vetëm për këtë vit nga taksat e shqiptarëve oligarkët do të marrin 260 milion euro përfshirë dhe tenderat korruptivë.
Ndërsa familjet shqiptare, bizneset, sipërmarrësit presin nga qeveria ajo vazhdon ritualin e zakonshëm. I gënjen shqiptarët dhe i trajton si njerëz pa dinjitet. Ua vjedh taksat për t’i ndarë me oligarkët e përhershëm. Ua vjedh taksat e rritura që edhe sot në mes të pandemisë i paguajnë një më një, për të bërë tendera sekretë. Pastaj për t’u tallur me shqiptarët deklarojnë se kanë dhënë për biznesin 800 milion euro.
Jepini shqiptarëve atë që ju takon. Mos vidhni edhe në kohë pandemie. 500 mijë punëtorë shqiptarë kanë nevojë për ndihma, ndërsa ju gatiteni t’i mbushni me rrena. Nuk mund të gënjehet pafundësisht një popull.” – shkruan ajo.