Kryeministri Edi Rama në inspektimin e punimeve të Lungomares 2 në Vlorë dha edhe një sqarim për denoncimin e disa ditëve më parë se në pjesën e përfunduar të shëtitores së Vlorës po shkuleshe një palmë për ti lënë vend ndërtimit të një karburanti.
Sipas Ramës, shpronësimi i karburantit u bllokua nga Gjykata e Lartë dhe arkitekti belg i Lungomares do ndërtojë një objekt sklupture urbane ndërsa për sa i përket palmës së shkulur ajo do zëvendësohet.
“Sikundër e kam denoncuar publikisht, “Benzinatua” u ndalua nga Gjykata e Lartë të shpronësohej, me një nga vendimet më skandaloze të historisë së shpifur të Drejtësisë së Vjetër! Kështu “benzinatua” mbeti aty si një çiban dhe arkitekti i famshëm belg i Lungomares, Xavier de Geyter, konceptoi një objekt – skulpturë urbane (strehën e zezë në formë kryqi), duke ia përshtatur estetikisht atij segmenti të shëtitores. Objekti tanimë është realizuar si një vlerë e shtuar, duke e “ambalazhuar” me sukses peshqeshin e mbetur aty nga Gjykata e Lartë. Palma e vetme që u hoq gjatë punimeve, për të cilën vunë kujën ata që na u kthyen nga sharësit e paepur të Lungomares kur ndërtohej, në mbrojtësit e flaktë të ekologjisë vlonjate, do të zëvendësohet padyshim”-shkruan Rama.