Ish-ministri i Shëndetësisë, Beqaj, replikoi në largësi me mjekun infeksionist Tritan Kalo.
Ky i fundit kishte shkruar pas propozimit të Beqajt për uljen e rrogave e pensioneve se qeveritarët e këtyre 30 viteve duhet të shkundin xhepat nga lekët e fituara prej privatizimeve, tenderave e koncesioneve si dhe të lirojnë vilat e shumta para se të prekin xhepat e shqiptarëve.
I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në ‘News24’, Beqaj tha se akuzat e Kalos për politikanët janë të pavërteta ndërsa shtoi se ndihej i shqetësuar për bërjen pis të figurës së politikanit.
“Aty kishte akuza për politikanët për 30 vjet. Nuk ndihem i prekur se e di që nuk janë të vërteta. As për mua as për shumicën e bashkëpunëtorëve të mi. Ajo që më shqetëson është bërja pis e figurës së politikanit që unë mendoj nuk i shërben mirë të ardhmes së vendit edhe nëse unë nesër të mos jem fare në politikë. Sepse kushdo i ri apo e re që mund të mendojë të futet në politikë, mund të ndjehet i tërhequr, sepse thotë si mund të bëhem pis. Dhe kjo nga ana tjetër e ul edhe besimin e figurës së politikanëve në shoqëri. Ndërkohë që duam apo s’duam shoqëria jonë është e ndërtuar edhe me politikën. Dhe në këtë ditë të gjithë njerëzit e duan zgjidhjen nga kryeministri.” – tha Beqaj.
Ai shtoi më tej se koncesionet nuk do prekeshin pasi i shërbejnë publikur duke përmendur atë të dializës e të rrugëve. Lidhur me deklaratën e tij për pensionet ai tha se media kishte prodhuar një Fake Neës, pasi ai kishte pasur fjalën për pensionet suplementare si dhe për rrogat e administratës.
“Kemi një situatë të pazakontë, po paguhemi me para publike, dhe në gjykimin tim po përdoret metrikë e ndryshme, kush ka punuar në privat rri në shpi dhe i jepet një pagë lufte minimale, kush ka punuar në shtet rri në shpi, merr një pagë sa e merrte. Kjo nuk më duket e drejtë. Ne mund të bënin dy gjëra, ose të gjithë të barabartë, një shumë sa të ishte mundësia, ose të rrinim të gjithë te shkurti.” – shtoi Beqaj.