Nga Albana Muçaj, Qendra Kallz
Hej fëmijë. E dini? Ju jeni më fantastikët. Po kaloni, e besojmë se tashmë keni hedhur pas krahëve më të vështirën e kësaj periudhe. Le t’jua themi hapur. Kaluat ditët në shtëpi me më shumë dinjitet se sa ne të rriturit. Asnjëherë më parë nuk pamë ballkone që gumëzhinin kaq shumë, me fëmijë që improvizojnë këndim, ndërtojnë kasolle, bëjnë gjimnastikë, luftojnë me armikun imagjinar me shpata, realizojnë piktura. Po, po, ju ishit ilaçi i vetes tuaj, i prindërve, i të afërmve. Sa prej jush herë pas here kanë shprehur nostalgji për ditët e kaluara. Keni shprehur mallin për shokët dhe padurimin për t’u treguar çfarë keni bërë të re, sa të fortë jeni bërë tashmë, apo edhe thjesht mallin për t’i përqafuar ata.
Edhe ne kemi kuptuar më shumë rëndësinë e sjelljeve të thjeshta si ai i një përqafimi. Por ne të rriturit rrezikojmë të harrojmë më shpejt, e të përfshihemi në rutinën e punës, të ardhurave, suksesit…
Jo, jo. Fëmijë! Suksesi është fillimisht të zotëroni plotësisht veten tuaj, të keni besim tek ajo, të vlerësoni gjërat e thjeshta: si një shpatë druri, një kukull lecke, një punim dore të bërë nga ju.
Unë e di që nga kjo karantinë, ju keni dalë më të mirë se ne. Dhe ne u përmirësuam, ë? Por, sigurisht patët fatin të qëndroni me prindërit në shtëpi më shumë se asnjëherë. E meqë ata nuk kishin nxitim për të shkuar diku (largimi zbuluam se ishte burim stresi), ju e morët shtruar, për t’i ndihmuar ata në rregullimin e një diçkaje në shtëpi, për të punuar lulet.
Po për të gatuar? Besoj se shumë prej jush e kanë bërë tashmë një kurs shumë të mirë kuzhine. Djemtë e mi, po!
Ai entuziazmi juaj për t’u përfshirë në aktivitete është i pakrahasueshëm. Ju bën edhe më të bukur se ç’jeni. Sa mama kanë kërcyer me ju vajza, ndërsa ju filmonin në performancën tuaj të radhës. Ndonjë mama ka pasur fatin të pijë dhe një gotë verë, ndërsa fëmija i bie pianos. Ja pra që bota është e pasur për gjërat e thjeshta.
Në ditët kur u ndalua përqafimi, fëmijët mund të përqafonin prindërit e tyre. Dhe e dini, ky mund të jetë ushqimi më i madh për babain që ju mban në një shtëpi të dëmtuar nga tërmeti e gjendet edhe i karantinuar. Ai nuk di nëse është më mirë të rrijë jashtë apo brenda, por ai gjendet mirë aty ku je ti.
E dini fëmijë, ju mund të keni qënë ilaçi i prindit që humbi punën këto kohë, i prindit që pushoi gjysmën apo të gjithë stafin e tij nga puna.
Po komunikimi juaj me mësuesit? Fantastik!
Sa puthje e përqafime virtuale keni marrë prej tyre, pasi bashkë me detyrat u keni dërguar edhe një përshëndetje. Ndonjëri nga ju e ka marrë mundimin t’i dedikojë një kartolinë, apo t’i shkruajë një fjali në kompjuter, pasi duhej të konkurronit prindërit tuaj gjithnjë në kompjuter.
Eh, fëmijë! Ju që shpikët çdo ide kreative për t’u argëtuar brenda 4 mureve, duhet të kuptoni mirë se bota brenda jush është aq e madhe, saqë mos reshtni asnjëherë ta eksploroni.
Po kur thoni që këto ushtrimet e matematikës i keni bukë e djathë. Se s’ka sens të kopjosh një tekst, por mund të kalosh direkt në zgjidhje. Ne na bëhet zemra mal për zgjuarsinë tuaj, e në fakt duhet të punojmë shumë t’ju sjellim programe më të avancuara.
Do të donim për ju një shkollë më fleksibël, që t’ju rrisë si qytetarë së pari, e pastaj si nxënës të mirë. Por duhet të dini, se duhet shpenzuar gjithnjë kohë mbi libra e jo vetëm teknologji e lojë. Pak nga të gjitha apo jo, si ushqimi…
Ju jeni heronjtë e këtyre ditëve, më shumë se vetë mësuesit, mjekët. E besojmë se edhe ata janë dakord.
Kjo ishte një periudhë e pazakontë në histori. I lëmë diskutimet pse, si, apo kush e bëri. U gjendëm në një situatë ku do të matej durimi ynë, integriteti ynë mes asaj çfarë kishim thënë deri tani dhe asaj se si u sollëm këto ditë.
Ju, këtë provë po e kaloni me sukses. Se ju ditët ta merrni me sportivitet, pa drama. Ne kemi shumë për të mësuar nga ju. Vazhdoni kështu. Vera është përpara dhe sapo liria të mbërrijë, ju do të merrni hapësirat tuaja, botën që ju morën për pak kohë.