Dy ditë pas grabitjes që ndodhi në fshatin Qinam të Tiranës, policia thotë se ka arrestuar 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.
Kreu i policisë së Tiranës, Rebani Jaupi doli në një deklaratë për mediat për të bërë të ditur lajmin.
Jaupi tha se në pranga kanë rënë: shtetasi me inicialet J.A., 29 vjeç, organizator i grabitjes, dhe dy vëllezërit me inicialet N.B dhe D.B, nga Tapiza. Policia ka sekuestruar automjetin që dyshohet se është përdorur nga autorët, si dhe njërën prej armëve, e cila u gjet nga polumbarët e Repartit Special RENEA e hedhur në lumin Tapizë. Grupi i zhytësve po punon për gjetjen e armës tjetër.
Këta persona akuzohen se kanë hyrë të enjten në banesën e shtetasit me inicialet B. Z., në fshatin Qinam një ditë më parë, e lidhën atë dhe pas kërcënimeve me armë i morën atij 400 mijë lekë të vjetra.
DETAJET E POLICISË
Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 30 prill 2020, në fshatin Qinam, ku persona të paidentifikuar, nën kërcënimin e armës, vodhën një sasi lekësh në banesën e shtetasit B. Z.
Identifikohen, lokalizohen dhe arrestohen nga Policia tre autorët.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, automjeti i përdorur nga autorët për realizimin e vjedhjes dhe njëra nga armët e zjarrit kallashnikov, me një krehër me fishekë.
Vijon puna nga polumbarët e RENEA-s, në lumin Tapizë, për gjetjen e armës tjetër që kanë përdorur autorët.
Siç jeni në djeni, në fashtin Qinam të Njësisë Administrative Zall-Herr, më datë 30.04.2020, rreth orës 23:30, persona të maskuar dhe të armatosur, duke u prezantuar si punonjës policie, janë futur në banesën e shtetasit B. Z. dhe nën kërcënimin e armëve, pasi i kanë lidhur pronarët e banesës, kanë vjedhur një sasi prej 40 mijë lekësh të reja dhe më pas janë larguar.
Menjëherë pas marrjes së informacionit për ngjarjen e ndodhur, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Falë reagimit në kohë, veprimeve të shpejta dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kamzë u bë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj ngjarjeje.
Pas identifikimit të autorëve të dyshuar u organizua puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre dhe pas disa orë krehjeje të zonës në fshatrat Grec dhe Tapizë u kapën dhe u arrestuan tre autrorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj pronës në DVP Tiranë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kamzë, u bë arrestimi i shtetasve:
– J. A., 29 vjeç (organizatori i vjedhjes, i cili u kap në fshatin Grec);
– N. B., 20 vjeç dhe D. B., 26 vjeç (vëllezër), të cilët u kapën në fshatin Tapizë, Nikël;
Në cilësinë e provës materiale Policia ka sekuestruar automjetin e përdorur nga autorët, si dhe njërën prej armëve, e cila u gjet nga polumbarët e Repartit Special RENEA e hedhur në lumin Tapizë dhe aktualisht grupi i zhytësve po punon për gjetjen e armës tjetër që kanë përdorur autorët.
Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për të luftuar krimin, me qëllim krijimin e një ambienti shoqëror sa më të sigurt dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të panashëm.