Vendosni fjalën kyçe....

Menaxhimi i ankthit në kohën e koronavirusit


Nga Manjola Çollaku

Deri disa muaj më parë askush nuk do ta imagjinonte se përditshmëria jonë do të ndryshonte në mënyrë radikale nga një virus. Një armik i padukshëm që, përveç emergjencës së pashembullt shëndetësore, sociale dhe ekonomike, ka ndryshuar shumë nga zakonet, mendimet dhe emocionet tona. Edhe pse individët i përjetojnë dhe përpunojnë ndryshe situatat, secili nga ne në ditët e sotme, kudo në botë, po përjeton një ndjenjë humbjeje në mënyra dhe nivele të ndryshme. Humbja e lirisë individuale, e stabilitetit ekonomik dhe sigurisë.

Një seri pyetjesh lindin: Pse po ndodh kjo? Nga vjen? Si u përhap kaq shpejt? Faji i kujt është? Mbi të gjitha, kjo e fundit po përsëritet në një mënyrë të pandërprerë dhe të pashpresë; njerëzit janë në kërkim të një përgjegjësi. Ndjenja e pafuqisë, i shtyn disa individë të  reagojnë duke u përpjekur të identifikojnë një fajtor.

Mendimet në këtë periudhë, në përgjithësi të një lloji katastrofik , të tilla si “kam ngecur në shtëpi”, “kam humbur lirinë time”, “kjo situatë nuk do të marrë kurrë  fund”, “kush e di nëse do të prekë fëmijët e mi”, apo “do të pësoj dëme ekonomike”, janë të shumta, dhe shoqërohen me emocione që variojnë nga zemërimi, frika, ankthi, pasiguria apo zhgënjimi.

Reagimet individuale ndryshojnë, nga mohimi tek frika.  Ka nga ata që përpiqen më kot të shmangin mendimet ose emocionet që lidhen me situatën e krijuar, por ka edhe nga ata që përjetojnë aktivizim të vazhdueshëm psiko-fiziologjik (si frikë dhe ankth). Frika, emocion parësor, është thelbësor për mbrojtjen dhe mbijetesën tonë: nëse nuk do ta provonim ne nuk do të ishim në gjendje të shpëtonim veten nga rreziqet. Një dozë e matur e frikës është thelbësore. Kur kjo aktivizohet, përfshin një përgjigje nga i gjithë organizmi, duke krijuar një sjellje specifike.

Mekanizmi i ankthit për të gjithë ne është një mekanizëm fiziologjik, i dobishëm për aktivizimin e trupit para një situate alarmi: deri në një nivel të caktuar ai është adaptues sepse rrit reagimin tonë; përpos kësaj, nëse tejkalohet, e bën trupin të paaftë të reagojë në mënyrë të dobishme.

Ankthi për shëndetin ka një funksion adaptues në lidhje me nevojën për të mbrojtur shëndetin tonë, pasi na lejon të vlerësojmë disa shenja trupore të sëmundjes, dhe të reagojmë kur është e nevojshme për mos ekspozimin e vetes ndaj rreziqeve reale të sëmundjes.

Është e natyrshme që tani që të gjithë ne i nënshtrohemi rrezikut për shkak të pandemisë, nivelet e ankthit për shëndetin të rriten me qëllim që të na bëjnë më të vëmendshëm ndaj disa simptomave fizike. Sidoqoftë, në disa individë, ankthi për shëndetin bëhet i papërshtatshëm, i tepruar dhe ndonjëherë, absolutisht joproduktiv.

Intensiteti i ankthit për shëndetin ndryshon në fakt nga i butë në të rëndë, duke shkaktuar një ndikim negativ në funksionimin e individit, në cilësinë e jetës së tij. Kjo mund të çojë në një kërkesë më të madhe për vizita shëndetësore ose, nga ana tjetër, njerëzit me nivele tepër të ulëta të ankthit për shëndetin, pikërisht për shkak të mungesës së shqetësimit të tyre për rrezikun e shëndetit, mund të lënë pas dore masat paraprake të nevojshme të higjienës që duhet të merren ose të mos pranojnë distancën e rekomanduar sociale.

Megjithatë, ne jemi thirrur të ecim përpara, të riorganizojmë jetën tonë. Në këtë aspekt, fleksibiliteti psikologjik mund të na ndihmojë që të merremi më mirë me vështirësitë emocionale dhe konjitive (njohëse) që vijnë nga urgjenca e koronavirusit dhe të zhvillojmë atë që në psikologji quhet rezistencë, domethënë aftësinë për t’i rezistuar të papriturave të jetës.

Në këtë rast, kur njerëzit janë në një situatë të çekuilibrit, rrezikut, frikës, kërcënimit për mbijetesë, siç është momenti kritik që ne po përjetojmë të gjithë si pasojë e pandemisë, organizmi krijon një përgjigje përshtatëse të përgjithshme (perceptime, mendime, aktivitet motorik etj.) Prandaj, duhet theksuar se organizmi i përshtatet mjedisit në mënyrë spontane dhe krijuese.

Të gjendurit para një situate të pakontrollueshme ajo që mund të bëjmë është të zbatojmë veprime parandaluese. Strategjitë e përballimit kanë një rëndësi thelbësore; përveç efekteve negative një traumë sjell dhe ndryshimet pozitive në individ, të përcaktuara si Rritja post-traumatike (Post Traumatic Grouth – PTG), të cilat mund të përfshijnë edhe zhvillimin e perspektivave të reja personale.

Mund të përmendim disa tregues të dobishëm për menaxhimin më të mirë të ankthit për shëndetin në këtë periudhë veçanërisht të vështirë:

– është shumë e rëndësishme që njerëzit të jenë në gjendje të pranojnë dhe tolerojnë pasigurinë e situatës.

– duke mos qenë në gjendje të kontrollojmë gjërat jashtë nesh, mund të përpiqemi të kontrollojmë brenda vetes, emocionet dhe reagimet tona.

– mos e ndiqni minutë për minutë zhvillimin e pandemisë. Një përqendrim i vazhdueshëm i mendimit mbi Covid-19 shkakton vetëm një ankth të shtuar.

– shmangia e grupeve të krijuara në internet që bashkojnë njerëz që janë shumë të shqetësuar për virusin: kërkimi i kontaktit me njerëzit që tregojnë ankth nuk do të ndihmojnë por, përkundrazi, do të rrisë ankthin ndaj shëndetit dhe do të shtojnë informacion konfuz.

– përdorni burimet e informacionit të sigurta.

– është e mundur që në këtë periudhë të ndiejmë në të vërtetë sinjalet fizike të vërteta (djersitje, dhimbje muskulore, shtrëngim në gjoks, etj.), shpesh për shkak të situatës stresuese në të cilën gjendemi, megjithatë është e rëndësishme të zvogëlohet tendenca për të interpretuar këto simptoma fizike si mundësi për të qenë i/e prekur.

– është e rëndësishme të investoni sa më shumë kohë duke iu përkushtuar vetes, interesave tuaja, rritjes personale.

– planifikoni ditën tuaj, duke mbajtur ritme të rregullta të gjumit, ushqimit, punës dhe /ose aktiviteteve studimore.

– gjeni një hapësirë ​​në shtëpi ku mund të pushoni (duke dëgjuar muzikë ose duke praktikuar teknika të relaksimit, gjithashtu të disponueshme në website të ndryshme).

– në rast të vuajtjeve akute, është e mundur të kontaktoni Profesionistët që operojnë online, Ka një listë me profesionistë që ofronjë falas shërbimin e tyre.

Unë e konsideroj themelore, të përhapim një ANTIVIRUS: të mendojmë pozitivisht, të besojmë vërtet se do të bëhet më mirë. Ashtu si patatet, ne jemi në gjendje të mbijmë gjithsesi, sepse kemi një tendencë të lindur drejt vetë-përmbushjes, shprehej dhe Rogers (1989) me metaforën e patates. Përkundër kushteve të pafavorshme, patatet nuk heqin dorë, edhe nëse nuk mund të lulëzojnë. Njeriu gjithmonë tenton në të mirën e tij, vepron në maksimumin e mundësive që ka në dispozicion dhe ndonjëherë vetëm duhet të kujtojë se i ka të gjitha mjetet për t’u realizuar. Kjo emergjencë, si çdo fatkeqësi, mund të jetë një mundësi!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *