Princi Andrew ka injoruar tre kërkesa zyrtare për t’u marrë në pyetje nën betim në lidhje me miqësinë e tij me Jeffrey Epstein.
Siç shkruan Daily Mail, avokati që përfaqëson viktimat e Epstein-it, David Boies, thotë se princi Andrew nuk ka qenë i përgatitur të bashkëpunojë.
“Ne kemi bërë të paktën tre përpjekje zyrtare me shkrim të dërguara në adresën e tij në Londër dhe gjithashtu avokatëve të tij në muajt e fundit”- tha Boies. Mes klientëve të tij është edhe Virginia Roberts, gruaja që pretendon se Epstein e detyroi të bënte seks me princin në tre raste.
Princi Andrew, i cili mohon me ngulm të gjitha akuzat, ka punësuar si avokate Clare Montgomery. Ajo është në nga avokatet kryesore të ekstradimit në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka patur si klient edhe diktatorin ushtarak kilian, Augusto Pinochet.
Prokurori amerikan Geoffrey Berman, i cili udhëheq hetimin e vazhdueshëm penal ndaj Epstein dhe bashkëpunëtorëve të tij, e ka akuzuar Princin se nuk ka ndihmuar një hetim të FBI-së.
Avokati David Boies thotë që ai do të jetë i gatshëm të udhëtojë në Mbretërinë e Bashkuar për të intervistuar princin Andrew.
Kujtojmë se financieri Jeffrey Epstein vrau veten në burg verën e kaluar, pasi u arrestua me akuza për abuzim seksual me të mitur.