Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë shkëmbyer armë zjarri mëngjesin e sotëm në Zonën e Demilitarizuar që ndan të dy shtetet.
Sipas mediave të Koresë së Jugut, Veriu sulmoi një postëroje kufitare në qytetin e Cheorëon, çka ka detyruar ushtrinë e Seulit të kundërpërgjigjet.
Si përgjigje, Koreja e Jugut thotë se gjuajti “dy raunde me armë zjarri dhe një njoftim paralajmërues sipas manualit tonë”. Nuk ka raportime për viktima.
Seul dhe Pyongyang thuhet se janë në kontakt për të zgjidhur incidentin.
Ky është shkëmbimi i parë më armë zjarri që ndodh midis Veriut dhe Jugut në 5 vite. E po ashtu vjen vetëm një ditë pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, u rishfaq në opinionin publik pas disa javësh thashetheme dhe spekulimesh për shëndetin e tij.
Siç shkruan BBC, zona e demilitarizuar u krijua pas Luftës Koreane në vitin 1953 në mënyrë që të krijonte një zonë të zbutur midis dy vendeve.
Për dy vitet e fundit, qeveria e Seulit është përpjekur të kthejë kufirin e fortifikuar në një zonë paqeje.
Lehtësimi i tensioneve ushtarake në kufi ishte një nga marrëveshjet e arritura midis liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, dhe Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, në një samit në Pyongyang në shtator të 2018-ës.