Burrat homoseksualë dhe biseksualë në Britani nuk po lejohen të marrin pjesë në testimin e plazmës së gjakut, për zbulimin e një trajtimi kundër koronavirusit.
Daily Mail shkruan se Shërbimi Shëndetësor në Britani, është në kërkim të donatorëve të plazmës nga pacientët e rikuperuar, për ta përdorur në testimet për efektin e mundshëm ndaj sëmundjes së re.
Më herët u raportua se 6.500 njerëz tashmë kanë regjistruar interes për të marrë pjesë.
Por sipas rregullave që zemëruan donatorët e mundshëm, burrat gay dhe biseksualë do të ndalohen të dhurojnë plazmën e tyre, me përjashtim të personave që nuk kanë pasur marrëdhënie intime në tre muajt e fundit.
Andy Roberts, menaxher i kujdesit intensiv, tha se ndonëse ka qenë i infektuar me koronavirus dhe është shëruar, nuk është lejuar të bëhet dhurues i plazmës së gjakut.
Institucionet e transfuzionit të gjakut në Angli thanë se vendimi për përdorimin e udhëzimeve rreth përzgjedhjes së dhuruesve të plazmës është marrë me qëllim të mbrojtjes së dhuruesve dhe marrësve të saj.