Vendosni fjalën kyçe....

Venezuela akuzon Kolumbinë se tentoi një sulm nga deti


Qeveria e Venezuelës thotë se ka ndaluar një përpjekje të “mercenarëve terroristë” të Kolumbisë për të sulmuar nga deti.

Në një fjalim televiziv, Ministri i Brendshëm Nestor Reverol tha që grupi mbërriti me varka me shpejtësi në shtetin bregdetar të La Guaira, herët të dielën.

Presidenti Nicolás Maduro shpesh i akuzon kundërshtarët e tij se po përpiqeshin ta rrëzonin atë me mbështetjen e SHBA-ve.

BBC shkruan se opozita e Venezuelës i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se sulmi ishte i inskenuar.

Kolumbia me të cilën Venezuela i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që prej vitit të kaluar, i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Në deklaratën e qeverisë së Venezuelës, Reverol tha se grupi i mercenarëve kishte zbritur në qytetin e Macuto, rreth 34 km në veri të kryeqytetit Caracas.

“Ata u përpoqën të kryejnë një pushtim nga deti, një grup mercenarësh terroristë nga Kolumbia, në mënyrë që të kryejnë akte terroriste në vend, duke vrarë udhëheqësit e qeverisë revolucionare”– tha ai.

Diosdado Cabello, kreu i Partisë Socialiste në pushtet, tha se tetë njerëz u vranë dhe dy u arrestuan. Ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino, tha se një anije me shpejtësi ishte fundosur dhe anijet ushtarake po kërkonin në bregdet për të mbijetuarit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *