Kreu i Partisë Demokratike, Basha, deklaroi ditën e sotme se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian varet nga plotësimi i 15 kushteve që janë vendosur më herët nga unioni.
Ai mori pjesë në një Samitin e liderëve të Bashkimit Europian e Ballkanit Perëndimor të Partive Popullore Europiane, samit që u zhvillua me video-konferencë.
Basha i falenderoi ata për ndihmën që i është dhënë Shqipërisë për krizën që po kalon pas prekjes nga pandemia Covid-19.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati theksoi gjithashtu se plotësimi e zbatimi i 15 kushteve është rruga e vetme për çeljen e negociatave e zgjidhjes së krizës politike në vend.
Basha shprehu domosdoshmërinë e reagimit të shpejtë për të ndalur zhbërjen e standardeve demokratike dhe të proceseve zgjedhore, goditjen ndaj drejtësisë së pavarur dhe lirisë së mediave, siç është faktuar edhe nga raporti i fundit i Freedom House.
“Rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore jo vetëm për transformimin politik dhe social-ekonomik të vendit dhe rajonit, por dhe për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, si dhe janë në interesin më të mirë të popujve tanë.” – tha ndër të tjera Basha.