Një studiues mjekësor i cili thoshte se ishte në prag të gjetjeve shumë të rëndësishme në lidhje me koronavirusin, është gjetur i qëlluar për vdekje në Pensilvani.
CNN shkruan se Bing Liu, 37 vjeç, një studiues në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Pittsburgh, u gjet i vdekur të shtunën brenda banesës së tij në veri të Pittsburgh.
Ai ishte qëlluar në kokë dhe në qafë.
Hetuesit besojnë se autori është një burrë i dytë i paidentifikuar, i cili u gjet i vdekur në makinën e tij. Ai mendohet se e qëlloi dhe vrau Liu-n në shtëpinë e këtij të fundit, e më pas u kthye në makinë ku i dha fund dhe jetës së tij.
Policia beson se dy burrat e njihnin njëri-tjetrin, por thonë se nuk ka arsye për të besuar se Liu ishte vënë në shënjestër për shkak të origjinës së tij kineze.
Universiteti nxori një deklaratë ku shprehet se kolegët janë shumë të trishtuar për vdekjen e Bing Liu.
“Bing ishte në prag të gjetjeve shumë domethënëse drejt kuptimit të mekanizmave qelizorë që mbështesin infeksionin SARS-CoV-2 dhe bazën qelizore të ndërlikimeve”, thanë kolegët e tij.