Për herë të parë minisgtrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka dhënë një emër pas pyetjes se kush e drejton Komitetin e Ekspertëve të ngritur për të menaxhuar situatën me pandeminë e COVID-19.
Gjatë një interviste për emisionin ”Fokus” në TvT, Manastirliu tha se Komiteti i Ekspertëve drejtohet nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
“Komiteti i ekspertëve drejtohet nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, profesoreshë Mira Rakacolli, dhe ka në përbërje ekspertë të ndryshëm të fushave të ndryshme. Nga ana tjetër ka edhe grupe teknikësh që asistojnë me përgatitjen e strategjive tona”, tha Manastirliu.
Që kur u konfirmuan personat e parë me koronavirus në vend, kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij i janë referuar një komiteti ekspertësh për vendimmarrjet. Por deri më sot nuk ishte zbuluar se cilët ishin anëtarët apo se kush e drejtonte këtë komitet.
Ndërkohë që po të marrim si shembull SHBA-në, ata i kanë ndarë qartë rolet e ekspertëve të tyre që në fillim duke u treguar transparentë me publikun. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, i cili ka ngritur grupin (tek ne ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu), ka emëruar Deborah Leah Birx si Koordinatore të Përgjigjes së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin. Këtë e gjeni të njoftuar edhe në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.
Mjeku Pëllumb Pipero, u zu ngushtë dy netë më parë nga gazetari Çim Peka kur e pyeti për emrin e drejtuesit të këtij komiteti (lexo këtu). Ai këmbënguli se nuk ishte në tagrin e tij të zbulojë emra, madje u lut të mos i bëhej më kjo pyetje. Por pas zhurmës që u bë me deklaratën e Piperos i cili dukej sikur nuk dinte emra, Manastirliu më në fund e dha një emër për publikun.