Vendosni fjalën kyçe....

Pritën nga Amerika Latine 16 kg kokainë, arrestohen 2 të rinjtë shqiptarë në Angli


Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Angli pasi akuzohen se pritën nga Amerika Latine një sasi të konsiderueshme kokaine nëpërmjet një kontienieri.

Shtetasit shqiptarë Mariglen Bajraktari, 20 vjeç dhe Romario Vukzaj, 23 vjeç, u arrestuan pasi punonjësit e portit në Tilbury njoftuan policinë të martën.

Oficerët e Forcave Kufitare gjetën 16 kilogramë kokainë në një kontenjer frigoriferik, e cila kishte mbërritur në Terminalin e Kontejnerit në Londër nga Belize (Amerika Latine) të premten e kaluar.

Hetuesit nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) thanë se droga ka një vlerë të mundshme rrugore më shumë se 1 milion paund.

Komandanti i degës NCA Jacque Beer tha: “Ne gjithmonë i inkurajojmë punonjësit e portit të na lajmërojnë për çdo veprimtari të dyshimtë që shohin gjatë detyrës.

Jam i kënaqur që me këtë rast vigjilenca e tyre ka çuar në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të kokainës.”

Bajraktari dhe Vukzaj, pa asnjë adresë fikse, u paraqitën sot në Gjykatën e Magjistraturës së Chelmsford dhe u mbajtën në paraburgim derisa të paraqiteshin në Gjykatën e Kurorës Basildon më 3 qershor.

Dyshja janë të akuzuar për posedimin dhe importimin e drogës të klasit A.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *