Vendosni fjalën kyçe....

Basha takim me përfaqësuesit e Këshillit të Agrobiznesit, 3 pikat që u propozuan


Kreu i Partisë Demokratike është takuar sot me presidentin e Këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj dhe drejtoreshën ekzekutive Enisa Shena.

Gjatë takimit përfaqësuesit e 37 shoqatave kombëtare e rajonale janë të shqetësuar për situatën në të cilën ndodhet vendi.

Ata i theksuan Bashës se kanë vështirësi në shitjen e prodhimeve pasi prodhimet që vijnë nga importi subvencionohen nga vendet e origjinës.

“Kriza e rëndë ka prekur çdo sektor të ekonomisë shqiptare, përfshirë dhe sektorin e agrobiznesit dhe bujqësisë. Sot prita presidentin e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj dhe drejtoreshën ekzekutive Enisa Shena të cilët më paraqitën sot me shifra dhe detaje situatën e vështirë të sektorit të zinxhirit ushqimor që për shkak të pandemisë dhe rrezikun e kolapsit të këtij sektori që nuk ka patur as vëmendje dhe as mbështetje nga qeveria. Përfaqësuesit e 37 shoqatave kombëtare dhe rajonale, drejtues të Këshillit të Agrobiznesit, janë të shqetësuar për situatën aktuale pasi prodhuesit nuk arrijnë të shesin prodhimet dhe po konkurrohen nga produktet e importit të cilat vijnë të subvencionuara në vendet e origjinës.” – shkruan Basha.

Basha gjatë takimit shprehur mbështetjen për kërkesat e drejta të fermerëve të agrobiznesit duke theksuar 3 pika kryesore për t’u ardhur në ndihmë.

“Ekonomia shqiptare është në kolaps,masat e qeverisë janë kaotike dhe ndihma ekonomike që është e pandjeshme për qytetarët dhe biznesin, për bujqësinë nuk ekziston as si premtim.

Shpreha mbështetjen për kërkesat e drejta të fermerëve dhe sektorit të agrobiznesit dhe së bashku me përfaqësuesit e KASH ndamë si prioritete urgjente për përballimin e krizës disa hapa duke përfshirë:

1- Barazimin e TVSH-së për të ndihmuar prodhimin vendas dhe fermerët që kanë pësuar goditje nga pandemia duke ndihmuar të gjithë zinxhirin e prodhimit agro-ushqimor i vendit.

2 – Përfshirjen e institucioneve të mikrokredisë në skemën e garancisë sovrane që qeveria shqiptare ofron për bankat e nivelit të dytë. Sektori i mikrokreditit është jetik për të siguruar likuiditetin në sektorin agrobujqësor. Sot ky likuiditet mungon duke rrezikuar prodhimin.

3 – Qeveria shqiptare nëpërmjet AZHBR-së dhe institucioneve të tjera duhet të rrisë ndjeshëm financimin me grante për të gjithë fermerët shqiptarë të cilët kanë pësuar humbje nga situata e pandemisë COVID-19.

Sot, shqiptarët po rrënohen ekonomikisht çdo ditë e më shumë. Çdo biznes, përfshirë dhe bujqësinë kane nevojë për ndihmë dhe jo fjalë boshe. Me mënyrën si po e menaxhon kjo qeveri situatën, pandemia shëndetësore COVID-19 po shndërrohet në pandeminë ekonomike 2020.” – shkruan Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *