Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi ka folur të enjten para deputetëve të Parlamentit Evropian për rezultatet e Samitit të Zagrebit, i cili është zhvilluar një ditë më herët përmes një vide-konference.
Ai e ka quajtur si shumë të rëndësishme deklaratën e miratuar nga ajo konferencë dhe zotimin e dyanshëm për një perspektivë evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai në këtë debat është përgjigjur edhe në pyetjet rreth ideve për shkëmbim territoresh, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe për çështjen pothuajse të bllokuar të liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Pozicioni ynë ka qenë i qartë nga fillimi. Kyçe është ajo për të cilën pajtohen dy vendet. Një marrëveshje rreth së cilës pajtohen dyja palët dhe që nuk paraqet rrezik për shtetet tjera të rajonit” ka thënë Komisionari evropian.
Ai ka shtuar se pasi të arrihet te marrëveshja eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë mund të shikohet në elementet e ndryshme të saj.
“Nuk mendoj se shkëmbimi i territorit është një çështje, mendoj e ajo është një çështje dytësore” ka thënë ai.
Komisionari i BE-së ka thënë se është me rëndësi që të dyja palët në tryezë të angazhohen në mënyrë domethënëse dhe të arrijnë te zgjidhja.
Në këtë aspekt ai ka thënë se pret që rol të madh të ketë i dërguari i posaçëm për procesin e dialogut, Mirosllav Lajçak.
Varhelyi ka folur edhe për mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai ka thënë se, për fat të keq, nuk ka parë ndonjë lëvizje në Këshill rreth kësaj çështjeje
“Ne në vazhdimësi lobojmë te shtetet anëtare. Kriza ka dëshmuar se sa e rëndësishme është që të ketë korridore të gjelbra për lëvizje ndërkufitare dhe këtë mund të shfrytëzojmë për t’iu sqaruar vendeve anëtare se pse duhet të fillojmë të konsiderojmë liberalizimin e vizave në një afat të shkurtër” është shprehur ai, raporton REL.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian presin që sa më shpejt të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ndonëse pranojnë se tash, ngërçi i ri politik në Kosovë si dhe shpallja e zgjedhjeve në Serbi, e kanë komplikuar këtë proces.
Shumica e diplomatëve në BE besojnë se dialogu do të mund të rifillonte pas zgjedhjeve në Serbi dhe pasi të sqarohet situata politike në Kosovë.