Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Arben Kashahu, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale evidenton se kryeministri Edi Rama nuk ka folur për Samitin e Zagrebit të zhvilluar online.
Ai pyet se çfarë e ka hidhëruar Ramën që mos flasë për Samitin kur nuk i shpëton asnjë vogëlsi pa komentuar.
“Samiti BE-Ballkani Perëndimor mori një vëmendje të madhe si nga liderët e Bashkimit Europian dhe opinioni publik europian. Edi Rama që nuk lë vogëlsi t’i shpëtojë pa komentuar e pa u vetëkënaqur në TV, nuk tha asnjë fjalë për Samitin e Zagrebit. Pse kjo heshtje e pazakontë e Kryeministrit?
Pse Edi Rama nuk është mirënjohës për 3.3 miliard Eurot dedikuar Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria do të ketë mbështetje të rëndësishme? Çfarë e hidhëroi Edi Ramën?
Ndoshta detyrimi i panegocueshëm për të pasur arritje të besueshme në luftën kundër krimit e korrupsionit, apo kërkesa e panegociueshme për t’u tërhequr nga mbrojtja e atyre që u përfshinë në shitblerje votash dhe nga miratimi i ligjeve që përkeqësojnë lirinë e shprehjes të inicuara nga ai vetë.
Tërheqje këto më të mundimshme se tërheqja nga përballja me gazetën Gjermane Bild, e cila i pohoi mbarë Europës vërtetësinë e akuzave të Bild për vjedhjen e zgjedhjeve nga Edi Rama”-shkruan Kashahu.