Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, ka lëshuar akuza ndaj qeverisë duke thënë se nuk ka dhënë ndihmën e nevojshme për bizneset e vogla të cilat janë prekur nga kriza e shkaktuar nga pandemia e COVID-19.
Së bashku me profesionistë kontabël dhe përfaqësues të biznesit, Salianji bëri llogaritë duke thënë se një bar kafe është minus 1.5 milionë lekë çdo muaj.
“Për fat të keq Shqipëria është futur dhe po futet në një cikël të falimentit dhe të krizës ekonomike për shkak të masave gjysmake dhe për shkak të zhvatjes që qeveria i ka bërë bizneseve edhe në këtë periudhë krize. Po shkojmë me shpejtësi drejt varfërimit dhe falimentit të shqiptarëve”– tha Ervin Salianji.
Krah me Salianjin ishte edhe konsulenti financiar Uran Derri, i cili tregoi për shpenzimet reale të një bar kafeje me 5 punonjës, që nga rrogat, kontributet, qeraja, faturat aforfe të energjisë elektrike dhe të ujit, pagesa për konsulencën e ekonomistit, pagesa për taksën vendore dhe kosto të tjera bankare apo për mirëmbajtjen e sistemeve fiskale.
“E gjithë llogaria në muaj i kushton pronarit të biznesit 307 680 lekë ose rreth 3 milionë lekë. Nga këto shpenzime, qeveria paguan vetëm 26 mijë lekë për secilin, duke bërë që borxhi i një biznesi bar kafe me 6 persona të jetë rreth 1.5 milionë lekë çdo muaj”, tha zoti Derri.
Ish-deputeti Salianji akuzoi qeverinë për thellimin e krizës ekonomike duke thënë se po u merr para më të pamundurve, për të ia çuar ato oligarkëve.
“Asnjë qeveri nuk ka bërë këtë që ka bërë qeveria Rama, që u merr para bizneseve të vogla, që u merr para më të pamundurve për t’ua çuar ato oligarkëve dhe gjithë bizneseve që marrin tendera publikë edhe në këtë periudhë dhe favorizohen nga qeveria. Në mënyrë të qartë u shpjegua nga ana e biznesve dhe ekspertëve se si humbjet e bizneseve në këtë periudhë krize kur dyqanet dhe bizneset kanë qenë të mbyllura, kanë qenë në shifra të mëdha dhe nuk kanë pasur mundësi që të mbulojnë përveç humbjeve edhe shpenzimet familjare, duke u detyruar të futen në borxhe. Shifrat flasin vetë dhe gjithë situata flet vetë që qeveria Rama gjatë gjithë kohës ishte e interesuar vetëm për pushtet personal dhe jo për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët e Republikës, të cilët paguajnë taksa.
Biznesi sot është i detyruar jo vetëm që të mbijetojë, por edhe të hyjë në borxhe për të mbajtur familjen. Ai është i detyruar të paguajë taksa dhe detyrime, të cilat Edi Rama ua kalon oligarkëve të partneriteteve të publike dhe private apo oligarkëve të tjerë, që janë shqepur me tendera sekretë apo jo sekretë në këtë periudhë.”– tha Salinji.