Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi në një konferencë për media ka bërë të ditur se hetimi ndaj kompanive për ngritje të çmimit të derivateve ka nisur në fillim të vitit 2019.
Prestreshi theksoi se pas përfundimit të hetimeve, komisioni i Autoritetit të Konkurrencës ka marrë vendim që 14 kompani të dënohen me 4 milionë e 40 mijë e 450.78 euro.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka shpalosur vendimin lidhur me dyshimet për manipulime me çmime nga kompanitë e derivateve të naftës.
Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, deklaroi se kanë marrë vendim që për shkak të shkeljes së dispozitave të konkurrencës në treg, 14 kompani të gjobitën prej mbi 4 milionë euro.
Sipas tij, këto kompani kanë manipuluar me çmimet e naftës.
“AKK-ja ka marrë vendim përfundimtar për çmimet e derivateve të naftës. Hetimi ka nisur në vitin 2019 ku janë nisur dyshimet se operatorët nuk kishin vepruar si në vitin 2018. Dyshimi është ngritur se mos kemi të bëjmë me sjelljen e konkurrencës ose ndonjë marrëveshje e ndaluar për këtë fushë”.
“Kompanitë që kanë qenë në hetim e kanë çrregulluar konkurrencën në treg, ato kanë kryer shkelje të dispozitave të konkurrencës”.
“Komisioni i autoritetit ka vendosur gjobë prej 4 milionë e 400 mijë për 40 kompani nën hetim”.
Prestreshi, duke shtuar se kompanitë mund të bëjnë pagesën e gjobës përmes këstit që këto të hyra të arkëtohen në buxhetin e shtetit të Kosovës.
Autoriteti i Konkurrencës ka urdhëruar ndërmarrjet në procedurë që ta ndalojnë çdo veprim të mëtutjeshëm i cili ka të bëjë me përcaktimin e çmimeve në mënyrë të bashkërenduar, nëpërmjet të çfarëdo marrëveshje apo bashkëpunimi tjetër joformal (të pa evidentuar) i cili shkon ne dëm të konsumatorëve, si dhe çdo aktivitet biznesor i cili e çrregullon konkurrencën në tregun përkatës.
Prestreshi ka thënë se sa i përket dy vendimeve liruese (për kompanitë BLU OIL Shpk , KASTRATI GROUP Shpk), kjo ka ndodhur meqë gjatë shqyrtimit të fakteve, është konstatuar se me aktivitetin afarist të këtyre kompanive nuk janë rrezikuar përfitimet të cilat konkurrenca efektive ju sjell qytetarëve (konsumatorëve dhe tatimpaguesve.
Prandaj, është vlerësuar se nuk ka argumente për ta vazhduar më tutje procedurën hetimore, pasi që këto ndërmarrje nuk kanë shitur derivate me pakicë në tregun relevant por kanë importuar dhe shitur derivate të naftës në tregun relevant vetëm me shumicë.
Ai ka përmendur edhe dënimet për secilën nga kompanitë që kanë qenë të përfshira në këtë hetim.
“ “NTP Ibrahimi”, 33 mijë e 640 euro, “Patroni shpk”, 38 mijë e 276 euro, “Veda2 Petrol” 46 mijë e 531 euro, “Abla Petrol” 49 mijë e 293 euro, “Lab Oil” 55 mijë e 175 euro, “Benita Kompani” 58 mijë e 450 euro, “Fat Oil” 101 mijë e 169 euro, “Petrol Oti Sllovenia” 117 mijë e 875 euro, “Petrol Company” 191 mijë 535 euro, “Alfa Trade shpk” 213 mijë e 782 euro, “Ip-kos” 498 mijë 338 euro, “Exfis” 537 mijë e 899 euro, “Al Petrol” 989 mijë e 493 euro, “HIB Petrol” 1 milionë e 108 mijë e 988 euro”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor