Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, deklaroi mbrëmjen e sotme se presidenti Meta, dekretoi ndryshimet në Kodin Penal që kishte propozuar e parlamenti ia kishte miratuar e në këtë pikë nuk kishte si të mos i firmoste.
E ftuar në emisionin ‘Java’ në RTSH, ajo tha se kryeministri Rama i mbajti qytetarët e mbyllur për 9 javë me radhë e askush nuk protestoi.
“Parlamenti votoi ato çfarë propozoi Ilir Meta. Kështu që Ilir Meta nuk kishte pse të mos firmoste gjërat që propozoi vetë. Ai është në rregull me veten e tij. E dyta, tani për histerinë po themi gazetareske se ‘përse e bëri’? Një pyetje, ka njerëz që paskan pasur këtë problemin e kodit penal, po 9 javë që ai i mbajti të mbyllur pa kod penal, që i mbajti në mënyrë të paligjshme pse nuk protestuan këta? Pse nuk bërtitën këta?” – tha ajo.
Ajo foli edhe për mbylljen e pikave të basteve e lotarive sportive duke thënë se kryeministri Rama i ka monopolizuar ato në një dorë duke i detyruar njerëzit të luajnë online.
Kryemadhi theksoi gjithashtu se qeveria nuk po jep ende lejet për ndërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti duke sjellë si shembull këngëtaren Bebe Rexha.
“Ajo që dua të them është që mungesa e menaxhimit të masave dhe tendenca për ta shprehur si një pushtet personal të tij për të ushtruar frikë te njerëzit, mund të tregojë për momentin le të themi një lloj çeikulibrimi mendor dhe psikologjik njerëzve, paniku, por në një të ardhme e gjitha kjo do t’i kthehet vetë atij. Lidhur me lejet e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Ju e dini shumë mirë lidhjen time familjare me këngëtaren Bebe Rexha, që jemi kushërira. Erdhi dhe mori përsipër të ndërtonte 2 shtëpi. A e dini ju që akoma nuk u kanë dhënë lejet e shtëpive? Për t’i prishur shtëpitë e dëmtuara dhe të ndërtojnë shtëpinë e re. I kanë dorëzuar lejet që në 4 dhjetor. Sikur po ndërtojnë kullë në mes Tiranës.” – shtoi ajo.