Vendosni fjalën kyçe....

Procedimi penal i protestuesve, PD: Edi Rama s’mund t’i marrë shqiptarët peng


Partia Demokratike ka reaguar pas procedimit penal të 7 personave të cilët morën pjesë në protestën e djeshme në sheshin Skënderbej.

Përmes një njoftimi për mediat, kjo forcë politike thotë se ngritja e zërit nga disa aktivistë, është garanci për themelin e çdo shoqërie demokratike.

Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën dje rreth orës 11:30, për të kërkuar lehtësimin e masave të qeverisë lidhur me Covid-19 e rifillimin e normalitetit në vend. Ata thonin se masat e marra nga qeveria lidhur me Covid-19 janë justifikim për të justifikuar instalimin e diktaturës në vend.

Policia procedoi 7 prej tyre, duke e konsideruar protestën të paligjshme. Mes të proceduarve është dhe Sazan Guri.

DEKLARATA E PD-së

Partia Demokratike dënon me ashpërsi përndjekjen e qytetarëve që kërkojnë kthimin e të drejtave kushtetuese, të kufizuara padrejtësisht kaq gjatë nga qeveria. Ngritja e zërit nga disa aktivistë, që nuk pajtohen me vendimet antikushtetuese të parlamentit ilegjitim për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, është garanci për themelin e çdo shoqërie demokratike.

Urdhrat e Edi Ramës për të përndjekur kundërshtarët e vendimeve të tij antikushtetuese e shndërrojnë Shqipërinë nga një vend kandidat për Bashkimin Europian në një vend që drejtohet prej një regjimi dhe kryeministër autoritarist.

Sot, qytetarëve po u cenohen të drejtat me lehtësi nga regjimi i Edi Ramës, sepse kryeministri anti-shtet po pengon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim kontrollin politik të saj.

Partia Demokratike është në krah të çdo qytetari që ngre zërin për liritë dhe të drejtat, që ngre zërin për shëndetin dhe punën e tij. Asnjë vendim antikushtetues nuk mund të bëjë që Edi Rama të marrë shqiptarët peng dhe të zëvendësojë demokracinë me regjimet autoritariste.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *