Presidenti i vendit Ilir Meta, ka komentuar procedimin penal të aktivistëve që protestuan ditën e djeshme përpara Sheshit Skënderbej, lidhur me masat e vendosura nga qeveria për shkak të pandemisë.
Presidenti Meta thotë prerë se tubimi dhe protesta është një e drejtë themelore që garantohet nga Kushtetuta. Ai shton se autoritetet duhet ta respektojnë këtë të drejtë duke i lejuar qytetarët të protestojnë duke zbatuar distancën.
“Lidhur me çështjen e protestave apo tubimeve apo manifestimeve, më duhet të theksoj se kushtetuta e garanton në mënyrën më të qartë këtë të drejtë themelore që është fondamentale për demokracinë në çdo lloj rrethane dhe kushtesh. Kështu që kjo është një e drejtë që duhet respektuar nga autoritetet. Duke qenë se jemi në siutuatë të vecantë duhen marrë të gjitha masat, jo që të ndalohet, por që të zhvillohet në përputhje me kushtet specifike të distancimit social, e fizik, të ruajtjes së sigurisë së atyre që dëshirojnë të organizojnë manifestim dhe duhet të jetë paqësor. Zëri i qytetarëve të dëgjohet në çdo kohë dhe unë shpresoj që kjo të ndodhë”– tha Meta.