Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u takua mesditën e sotme me fermerët në Lushnjë, të cilët akuzojnë qeverinë se i ka braktisur.
Salianji thotë se Bujqësia është sektori që nuk ka marrë asnjë qindarkë ndihmë nga qeveria, megjithëse, në regjistrat e shtetit llogariten si të punësuar rreth 461 mijë persona.
“Qeveria nuk flet për sektorin bujqësor. Bujqësia është në gjendje të mjerueshme në të gjithë vendin. Ne kërkojmë që të kthehet vëmendja tek fermerët dhe sektori bujqësor, që është një nga pjesët më të rëndësishme të ekonomisë së vendit”– tha Ervin Salianji gjatë bashkëbisedimit me fermerët, të cilët thanë se të gjithë ishin me kredi dhe ishin zhytur akoma më keq në borxhe këto dy muaj.
“Nafta është shumë e shtrenjtë dhe e paguajmë njësoj si karburantin e makinës së Edi Ramës”- u shpreh një fermer.
Një tjetër tha se “qeveria nuk ka na ka fare në listë. Nuk na ka as për gjë, rrojmë apo nuk rrojmë.”
Salianji u tha fermerëve se kjo situatë e rënduar vjen për shkak të dorëzimit të ekonomisë tek pak klientë të Edi Ramës.
“Ekonominë e kontrollojnë 2-3 oligarkë. U jep naftën, edhe portet, ndërtimin, shpërndarjen, magazinimin. Shqipëria punon për 10 vetë, ndërkohë që 3 milionë të tjerë vuajnë”-tha Salianji, i cili e krahasoi qeverinë Rama me një katastrofë. “Në çdo sektor thonë që Rama është bërë më keq se virusi. Ata tremben më shumë nga katastrofa Rama, sesa nga virusi i koronës.”- u shpreh Salianji.