Presidenti i vendit Ilir Meta, në një dalje për mediat u pyet nga gazetarët për vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të shtyrë vendimin për Ardian Dvoranin, për të cilin ai kishte kërkuar shkarkimin e tij.
Meta preferoi të mos bënte shumë komente dhe vetëm theksoi se kjo çështje është përgjegjësi e KLGj-së dhe e askujt tjetër.
“E kam dhënë një përgjigje për këtë çështje. Ajo është një përgjegjësi që i mbetet vetëm KLGJ-së dhe askujt tjetër.”- tha Meta.
Presidenti Meta ishte i pranishëm sot në një një seancë dhurimi gjaku në Bibliotekën e Fakultetit të Gjuhëve te Huaja në Tiranë, aktivitet që iu vjen në ndihmë talasemikëve.
Ai ftoi të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të japin kontributin e tyre. Krei i Shtetit komentoi dhe vendimin e ministres së Arsimit Besa Shahini, për të shtyrë zgjedhjet në universitete.
“Mendoj se është një vendim i arsyeshëm dhe besoj se ishte i pritshëm sepse në një periudhë të fatkeqësisë natyrore të vendosur nga parlamenti ishte jo e mundur për të pasur zgjedhje gjithëpërfshirëse”, tha presidenti.