Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka reaguar ndaj deklaratave të kryedemokratit Lulzim Basha i cili tha se në zyrën e prokurimeve të ministrisë ka rënë zjarri për të fshirë provat pas nisjes së hetimeve nga SPAK.
Në reagimin e saj Manastirliu thotë se “zjarri imagjinar ka rënë në kokën e kryetarit të PD-së”, duke përgënjeshtruar deklaratën se në Ministrinë e Shëndetësisë ka rënë ndonjë zjarr.
“Nuk ka asnjë zjarr në Ministrinë e Shëndetësisë! Tymi i zjarrit imagjinar që po shihni dhe dëgjoni, del vetëm nga koka e kryetarit të PD. Dikush duhet t’i hedhë ujë në sy që ta zgjojë nga gjumi”- shkruan Manastirliu.
Ndërsa Basha akuzonte se “paska rënë zjarr te Ministria e Shëndetësisë, në katin e katërt të Zyrës së Prokurimeve, tani që nisi SPAK hetimet. E keni dëgjuar, ka rënë zjarr. Nuk ia kanë dalë me manípulimet dhe u vunë zjarrin. Kam paralajmëruar prej kohësh që Rama nuk po i bën publik tenderat sepse po manipulon të dhënat. Uroj të kenë mbetur mjaftueshëm gjurmë që SPAK të kryejë hetimet”.