Presidenti i vendit Ilir Meta, është takuar me ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, fill pas një takimi të mëparshëm që ky i fundit pati me kryeministrin Edi Rama.
Meta thotë se është plotësisht i përkushtuar për të marrë përgjegjësitë e tij në procesin e integrimit të vendit në BE, pas hapjes së negociatave.
“Kënaqësi të takohesha sot në Ditën e Europës me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, zotin Luigi Soreca.
70-vjet pas Deklaratës së Shumanit Bashkimi Europian mbetet projekti më frymëzues. Fuqia e tij buron nga vlerat themelore të lirisë, demokracisë dhe solidaritetit.
Shqipëria është sot një vend kandidat i Bashkimit Europian, që gëzon përkrahjen më masive e të palëkundur të qytetarëve në procesin e saj të integrimit.
Nuk duhet humbur asnjë minutë për të zbatuar me shpejtësi të gjitha kushtet për nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke u përqendruar tek ndërtimi i një demokracie funksionale dhe sundimi i ligjit, sikundër theksoi dhe deklarata e Zagrebit.
Jam plotësisht i përkushtuar për të marë përgjegjësitë e mia në këtë proces si President i Republikës, dhe u bëj thirrje të gjithë aktorëve të përmbushin detyrimet e tyre për një përparim të besueshëm e të qëndrueshëm në secilin prej 15 kushteve.
Për Shqipërinë Europiane!
Sëbashku më të fortë! “– shkruan Meta. Kujtojmë se më herët, në konferencën e përbashkët që pati me Sorecën, kryeministri Edi Rama ftoi në një tryezë për integrimin presidentin Meta dhe kreun e PD-së Lulzim Basha.