Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi ka reaguar lidhur me kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës, duke e quajtur provokim në ditën e Evropës.
Vokshi thotë se ky akt ishe guri i fundit për grabitjen e truallit të Teatrit Kombëtar që sipas saj do shërbejë si lavatriçe për larjen e parave të pista dhe blerjen e zgjedhjeve të ardhshme.
“Pikërisht, ditët e Europës, kur duhet të prevalonin më shumë se kurrë vlerat Europiane, me një provokim arrogant Edi Rama miratoi VKM Nr. 377, dt. 8.5.2020 me anë të së cilës i kalon truallin e Teatrit Kombëtar, Bashkisë Tirane, pra Erjon Veliajt.
Dihet tashmë, cili është plani Rama-Veliaj: shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, grabitja e tokës publike dhe ndërtimi i kullave të larta që do shërbejnë si lavatrice për larjen e parave të pista të drogës, krimit e korrupsionit. Fitimi? Jo më pak se 200 mln Euro që do shërbejnë për blerjen e zgjedhjeve të ardhshme”-shkruan Vokshi.
Më tej ish-deputetja shkruan se kjo nuk bën asnjë surprizë për këdo që njeh Ramën dhe Veliaj pasi ata kanë sjellë shkatërrimin e Tiranës dhe vlerave artistike të saj.
“Për kë njeh Ramën, nuk ka asnjë çudi, as surprizë në këtë veprim i tij.
Për kë njeh Veliajn, e lidh menjëherë në mendje emrin e tij me çdo projekt korrupsioni shkatërrimi vlerash historike, kulturore, akademike, artistike bë Tiranë. Kujtoni pak Kopshtin Botanik.E njëjta formulë me atë të Teatrit Kombëtar.
Edi Rama ia ka vënë syrin Teatrit Kombëtar që në vitin 2000. Prej 20 vitesh, në çdo detyrë shtetërore: si ministër kulture, Kryebashkiak i Tiranës, e tani Kryeministër, ai ka lëvizur çdo gur, ka përdorur çdo mënyrë për të shembur Teatrin Kombëtar.
Pasi provoi çdo mjet tjetër antikushtetues, antiligjor, pasi përdori gjithë grupin parlamentar e çdo ministër të qeverisë, tani po përdor gurin e fundit, atë më të (sh)përdorshmin, Erjon Velinë. Personi që nuk njeh asnjë limit, që s’ka lëne gjë të zezë pa i bërë Tiranës, e tani kërkon t’i shkatërrojë edhe teatrin, një vlerë të çmuar të trashëgimisë së saj kulturore. Sepse Veliaj, përveçse s’ka moral, është njeriu më antivlerë e që nuk ka asnjë lidhje as me Tiranën, e aq më pak me Teatrin Kombëtar dhe atë që ai përfaqëson”.
Me këtë vendim, thotë Vokshi, kryeministrin nuk e ndali as Komisioni Evropian dhe as Europa Nostra duke dalë kundër vlerave evropiane.
“Në një kohë që Europa Nostra e ka përzgjedhur ne listën e 7 siteve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore europiane, e kur Komisioni Europian ka shprehur mbështetje, plani Rama-Veliaj bie ndesh me vlerat Europiane.
Një gjë është e sigurt, historia ka treguar që në fund, e mira fiton mbi të keqen. Pas dy vitesh, si për inat të Ramës, Teatri Kombëtar ngrihet i madhërishëm, falë mbrojtjes epike të Aleancës Për Mbrojtjen e Teatrit dhe qytetarëve të Tiranës.
Edhe këtë herë, jam e sigurt që vlerat shqiptare dhe europiane, do fitojnë mbi antivlerat.
E atëherë, pa asnjë hezitim, çdokush që ka qenë organizator apo pjesëmarrjes në këtë krim, në këtë puc institucional, duhet të shkojë para drejtësisë e të marrë ndëshkimin që meriton”-përfundon Vokshi.