Vendosni fjalën kyçe....

Edukimi parashkollor në Gjermani, një shembull i disiplinës


Blog-Autor: Ela Wamsler

“Edukimi fillon që kur lind fëmija“, “Karakteri i fëmijës formohet derisa shkon tre vjeç“, “Edhe foshnja kupton“ etj… janë vetëm disa nga shprehjet që nënat tona i përdornin shpesh dhe ne jemi mësuar me to që kur kemi qenë vetë fëmijë.

Tani, që jemi bërë nëna, ua kuptojmë domethënien e vërtetë.

Ndaj në këtë tekst dua të flas për sistemin parashkollor, që është aq i rëndësishëm, sepse sipas meje çerdhja dhe kopshti janë bërthama e edukimit.

Aty nis të mësuarit e sjelljeve të para në komunitet, të kuptuarit e situatave të reja të bashkëveprimit, të njohurit e vetes në raport me të tjerët (kush jam unë, si duhet të flas në grup me moshatarët, me edukatoren) etj. Fëmija tashmë e vendos veten e tij në raport me njerëzit jashtë familjes, pra me të panjohurit, për herë të parë.

Në eksperiencën time në Tiranë, mu desh të vizitoja disa çerdhe e kopshte për të vendosur se ku do t‘i çoja fëmijët e mi. Kam vizituar 5 institucione, 1 shtetëror e 4 private, ku në të gjitha vihej re mungesa e theksuar e hapësirave.

Në sistemin shtetëror, në grupin e fëmijës tim ishin rreth 30 fëmijë, të gjithë të vendosur në një dhomë të madhe të përbashkët loje. Ngjitur me të ishte dhoma e fjetjes, shumë e vogël, që të jepte ndjesinë sikur nuk merrje dot frymë. Në dhomën e lojës fillimisht kishte ndonjë mobilje modeste, me disa lodra të vjetëruara.

Prindërit inkurajoheshin të sillnin lodra nga shtëpitë e tyre, madje edhe të kontribuonin në arredimin me perde, tapete etj. Në mure kishte disa piktura të bukura, por dhoma e lojës ishte krejtësisht e zhveshur.

Pyetja që lind natyrshëm është: si mund të argëtohet fëmija në ambiente të tilla, kaq të kufizuara dhe pa fantazi?

Në sistemin privat të çerdheve vura re, se mjediset ku ishin ndërtuar kopshtet ishin jo të përshtatshme për këtë qëllim: të vogla, të errëta, me shkallë të ngushta dhe dhoma edhe më të ngushta, ku fëmijët dukeshin si të burgosur.

Papastërtia dhe lagështira gjendeshin në disa prej tyre. Siguria e mjediseve ishte e ulët, nuk ishte menduar as të modifikoheshin objektet ose vetë mjedisi në mënyrë që mos të rrezikohej fëmija fizikisht. Vetëm në një institucion privat, çerdhe dhe kopsht bashkë, gjeta disi paqen dhe të dy fëmijët e mi u stabilizuan për një periudhë gati një- vjeçare, derisa u zhvendosëm në Gjermani.

Përshtypja e parë nga kopshti “Juri Gagarin”, ku ne u regjistruam, ishte mbresëlënëse. Kopshti kishte një park gjigand mbrapa godinës dhe një oborr me bar përpara, si dhe parking për makinat.

Krahasuar me hapësirat e gjelbra të pakëta në Tiranë, sigurisht këtu fëmija kishte frymëmarrje dhe vraponte i lirë.

Kujtoj se në oborret e kopshteve në Shqipëri hapësira me bar dhe ndonjë pemë tek- tuk ishte luks për ndonjë kopsht; disa kishin vetëm një shesh të veshur me bar artificial dhe lodra me përbërje hekuri dhe pa elemente sigurie.

Po ashtu, ndryshimi këtu ishte mosha e edukatoreve, ku “gjyshet“ edukatore (që fëmijët i thërrisnin Oma) ishin shumë të dashura dhe i kujtonin atyre gjyshet e veta. Për mua, që vij nga një vend me modelin e meshkujve maço, ishte risi të shihja edukatorë meshkuj, si në kopsht, ashtu edhe në çerdhe, gjë që kishte për qëllim ta edukonte fëmijën me të dyja gjinitë.

Ata i jepnin një tjetër spontanitet punës me të vegjlit. Krahasuar me kopshtet në Tiranë, këtu nuk lejohet televizori, ndërsa muzika vendoset në disa aktiviteteve në sfond dhe jo me volum zëri të lartë.

Festat si Krishtlindjet dhe Karnavalet festohen në mënyrë kreative, pa ekzagjerime dhe pa cënuar ritmin e aktiviteteve të tjera. Sistemi i edukimit parashkollor këtu është bazuar jo në dukjen, por në bërjen e gjërave me vërtetësi, prakticitet dhe efikasitet.

Konkretisht, në derën e Drejtoreshës së kopshtit është e vendosur një tip ore muri, ku akrepi tregon se ku ndodhet ajo (në një nga klasat, në zyrë, në takim, jashtë godinës etj). Në Shqipëri investimi dhe përfitimi nuk janë në balancë, por ama ato nuk duhet as të rëndojnë në kurrizin e fëmijëve, që në këtë sistem janë të pafajshëm.

Më poshtë po listoj disa nga pikat më të forta sipas eksperiencës sime me fëmijët e mi në kopshtin në Gjermani, duke shpresuar që ky model të imitohet edhe në vendin tonë, në dobi të fëmijëve.

Infrastruktura e sigurt

Në kopshtin në Gjermani parku i lojërave është i tëri me rërë dhe i ndarë në dy pjesë, për fëmijët e çerdhes më vete dhe me lodra të përshtatura moshës.

Mjediset e brendshme janë të gjitha të siguruara për jetën e fëmijës, që nga dyshemeja prej gome, shkallët të pajisura anash me shufër metalike mbajtëse, dhomat me mobilje pa cepa etj. Fëmijët ulen në stola të gjatë e të ngjitur në mure kur vishen apo zhvishen, në momentin që vijnë në kopsht.

Dhomat e lojërave janë të ndara sipas llojit të aktiviteteve. Dhoma e pikturës dhe aktiviteteve kreative (prerje me gërshërë, plastelinë, figura me ngjitje etj) është konceptuar enkas për këtë qëllim.

Kavaletat, bojërat e lapsat, tavolinat me letra dhe kartonat për krijime të veçanta gjendeshin në vendin e caktuar, ku ishte e lehtë të fokusoheshe për ta zhvilluar atë aktivitet. Dhoma e lojës fizike ishte e konceptuar si një mur ngjitje (climbing), shtruar poshtë me dyshek special për të tilla sporte, me jastëkë dhe stola gome për tu hedhur kaluç e plot të tjera të kësaj natyre.

Ngjyrat e shumëllojshme e pasuronin këtë dhomë. Dhoma e aktiviteteve të heshtura, siç quhen këtu, ishte e përbërë vetëm nga objekte prej sfungjeri dhe gome, si kolltukë për fëmijë, tapet gome i trashë, lodra të buta që nuk shkaktojnë zhurmë.

Kjo dhomë përdorej në rastet kur fëmija nuk flinte dot në orarin e drekës, kur gjithë të tjerët flinin dhe nuk duhej të shqetësoheshin nga loja e shokut të tyre. Dhoma e teatrit ishte si një sallë e vogël teatri, me një mini- skenë, me veshje kostumesh të karaktereve të njohura, me kukulla, perde teatri e plot elemente të tjera që e fusin fëmijën në botën e përrallave.

Dhoma ditore, e aktiviteteve të përditshme, ishte dhoma ku fëmijët mund të luanin me lodra të shumëllojshme, ku mblidheshin në rreth dhe këndonin ose thjesht kërcenin dhe festonin një festë me pizhama.

Shpesh aty lexohen libra bashkë me edukatoren e specializuar për logopedi. Lodrat janë të gjitha të ndara sipas moshës ose të grupuara sipas llojit nëpër rafte, sirtare dhe kënde dhomash, ku fëmija orientohet nga edukatoret për mënyrën e zhvillimit të secilës lojë.

Sauna ishte një dhomë më vete brenda godinës, ku fëmijët mbi moshën 3 vjeç lejohen ta përdorin çdo javë në periudhën e dimrit (pa pagesë). Salla e futbollit dhe sporteve të tjera me top zhvillohet në një sallë sportesh jashtë godinës, por pranë saj.

Periudha e adaptimit dhe pranimit

Për çdo fëmijë dhe prind, periudha e shkëputjes është më e vështira. Lotët nga të dyja palët nuk mungojnë, por në Shqipëri ky proces bëhet disi me forcë dhe në mënyrë të menjëhershme.

Në Gjermani fëmija pranohet në kopsht vetëm pas një periudhë dy javore prove, nëse “përshtatshmëria“ kalon mirë. Në ditët e para fëmija qëndron në kopsht vetëm 1 orë, në prani të prindit, më pas edhe në shoqërinë e dy- tre fëmijëve që përzgjidhen me kujdes nga edukatorja (fëmijë të qetë dhe miqësorë në njohjet e reja).

Në javën e dytë pa praninë e prindit, për pak orë derisa krijohet shkëputja natyrale. Kjo periudhë është shumë e rëndësishme që fëmija dhe prindi të njihen me mjedisin, metodat e punës dhe edukatoren, pra të krijohet një urë komunikimi fëmijë- edukator dhe prind- edukator.

Pas periudhës së tre muajve të parë, edukatorja përgjegjëse e fëmijës realizon një takim me prindërit dhe i parashtron atyre studimin e sjelljes së fëmijës gjatë asaj kohe, ilustruar me të dhëna dhe foto.

Të gjitha këto përmblidhen në një dosje specifike me emrin e fëmijës, që e shoqëron atë deri në fund të ciklit parashkollor. Kur prindi shikon se sa seriozisht merret edukimi i fëmijës së tij, kjo është një kënaqësi dhe krenari e dyfishtë.

Informimi i prindërve

Shprehja “E folura fluturon, e shkruara mbetet“ duket se është moto pune. Plani mësimor i çdo dite, me oraret specifike, njoftime të ndryshme për prindërit, vjershat e reja që mësohen etj, shpalosen nëpër tabela të varura në mure, ku ajo që të bën përshtypje është gjithmonë miresjellja.

Megjithatë, vihet re edhe kërkesa për korrektesë nga prindërit në rastet kur bëhen thirrje për vaksinime apo afate për dorëzime dokumentash. Janë të përjavshme njoftimet për zhvillime aktivitetesh sportive jashte klase, si noti ose ekskursionet, ku kërkohet që prindërit të shkruajnë emrin e fëmijës së tyre në listën e shpallur.

Në dyert e secilit grup është e vendosur një letër me informacion për përfaqësinë e prindërve të grupit, ku me foto dhe emra tregohet se prindërit e cilit fëmijë janë dhe si mund të kontaktohen.

Takimet me prindër për çështje pune ose për festa, janë të shpeshta dhe të mirëorganizuara. Në sallën e pritjes, ku prindërit qëndrojnë kur marrin ose sjellin fëmijën në kopsht, gjenden disa tela si ato që varim rrobat, ku ekspozohen pikturat e fëmijëve dhe prindërit mund t’i marrin me vete.

Ndërsa në mur është vendosur një ekran kompjuteri, ku ekspozohen foto nga aktivitete të ndryshme, si ditëlindje, shëtitje në pyll, momente loje dhe kreativiteti gjatë mësimit.

Në po këtë dhomë, ndodhet edhe një Bllok Shënimesh për prindërit, ku ata çdo ditë mund të shkruajnë kërkesa të veçanta, si psh marrja e fëmijës së një prindi tjetër me lejen e tyre, vonesa në marrjen e fëmijës së vet, planifikime për mungesa disaditore etj.

Nëpër korniza me foto të bukura njoftohet ditëlindja e çdo fëmije, për t’i paraprirë kështu festës që mbahet me këtë rast në kopsht. Fëmijët shohin njëri- tjetrin në foto dhe i kërkojnë prindërve që të blejnë dhuratë për shokun e ngushtë: kjo forcon miqësinë mes tyre dhe i bën fëmijët të ndihen krenarë kur shohin fotot e ekspozuara gjatë gjithë muajit.

Prindërve u jepet një listë çështjesh për tu diskutuar përpara çdo takimi kokë-më-kokë ose mbledhje prindërish, që ata të vijnë të përgatitur. Çdo ndryshim shoqërohet me shkresat përkatëse për tu firmosur, që i jepen çdo prindi për të dhënë aprovimin e tyre.

Kështu ndodhi kur u zhvillua një sesion fotografimi i fëmijëve, me fotograf profesional, në mjediset e kopshtit, ku prindërit tërhoqën një zarf me foto të fëmijës së tyre kundrejt pagesës. Përdorimi i imazhit të fëmijës nga prindërit e fëmijëve të tjerë (për fotot në grup) duhej dhënë vetëm me miratim me shkrim nga çdo prind.

Ushqimi

Ajo që personalisht më ka bërë më shumë përshtypje është transparenca me menunë e ushqimit në kopshtin në Gjermani. Menuja e çdo jave, për secilin grup e ndryshme, për çdo ditë e larmishme, shpaloset e detajuar në një tabelë.

Ushqimi pjesërisht gatuhet në kuzhinën e kopshtit dhe pjesërisht merret nga një kompani kateringu e specializuar për ushqime për kopshtet dhe shkollat. Përzgjedhja e kompanisë bëhet nga drejtoria e kopshtit, por nëpër mbledhjet me prindër gjithmonë diskutohet nëse ka pakënaqësi dhe si mund të ndryshohet apo pasurohet ajo më tej.

Ushqimi është i ndarë në katër vakte, çdo dy orë, ku dreka shërbehet rreth orës 11 (në mënyrë që fëmijët të flejnë herët në mesditë dhe, detyrimisht, herët edhe në darkë në shtëpitë e tyre). Në sallën e ngrënies, që është shumë e madhe dhe e përbashkët për të gjitha grupet, ata qëndrojnë të ndarë nëpër tavolina të rrumbullakëta me edukatoren e secilit grup.

Fëmijët e marrin pjatat, gotat dhe ushqimin vetë në duar, duke mbajtur radhën dhe po njësoj, pasi mbarojnë ngrënien, i çojnë ato në vendin ku grumbullohen. Ishte e habitshme për mua që vajza ime, vetëm 1 vjeçe e gjysmë, të mund të rrinte në radhë dhe të merrte vetë një gotë çaji ose një pjatë me bukë të vogla.

Disiplina vijonte edhe pas ngrënies me larjen e duarve në lavamanë të vegjël, fshirjen e duarve nëpër peshqirët personalë që vareshin në mbajtëse poshtë fotos së secilit fëmijë. Kështu, duke parë foton e vet, fëmija e dinte ku e kishte peshqirin. E njëjta metodë zbatohej edhe tek garderoba, ku secili fëmijë identifikohej me foton e vet.

Edukimi me pavarësi

Diçka tjetër e rëndësishme është pavarësia me të cilën fëmijët edukohen. Që në moshën 1 vjeç e gjysmë, fëmija inkurajohet të vishet vetë, të shkojë vetë në tualet, të përdorë lavamanin dhe sapunin larës të duarve, peshqirin dhe krëhërin e flokëve personal.

Në lojërat e ndryshme fëmijës i jepet hapësirë të zhvillojë i pavarur mënyrën e tij, sipas imagjinatës dhe aftësisë personale, pa u ndikuar nga jashtë sesi duhet zhvilluar loja. Fjala ‘duhet‘ përdoret me masë dhe ku është e domosdoshme, siç është hyrja dhe dalja nga salla e ngrënies në rresht, shëtitjet në park dhe pyll bashkërisht si grup, e folura me zë të ulët, mirësjellja etj.

Pas çdo loje, fëmija duhet t’i çojë lodrat në vendin e tyre. Për çdo kërkesë që shpreh, fëmija duhet të përpiqet vetë së pari, pastaj të kërkojë ndihmën e edukatores.

Në përfundim, mund të them me bindje se të gjithë këto elemente të renditur më sipër përbëjnë një parantezë të edukimit premtues. Ato ndihmojnë në mësimin e fëmijës me sjelljet e duhura, në të menduarin e organizuar në një mjedis po aq të organizuar dhe në të nxënit me disiplinë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *