Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me akuzat e Partisë Demokratike se në Zyrën e Prokurimeve ka rënë zjarr por që qëllimi ka qenë djegia e letrave të tenderave të kryer nga ky institucion.
Ministria gjithashtu ka thënë se emaili i publikuar nga Spahia në deklaratën publike është “tërheqje vëmendje” e para 26 ditëve nga përgjegjësje për sigurinë e ministrisë për shkak të një incidenti nga një punonjëse e cila ka marrë masë administrative.
Me këtë deklaratë, Ministria e Shëndetësisë kërkon të hedhe poshtë akuzat e ngritura nga opozita mbi tenderat sekretë.
“Në përgjigje të akuzave të Partisë Demokratike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se nuk ka rënë zjarr në institucion. “Zbulimi” i bërë sot nga PD i referohet një emaili “tërheqje vëmendje” të para 26 ditëve, nga përgjegjësja për sigurinë në ministri, e cila i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj të cilës më pas është marrë masë administrative.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hedh poshtë aludimet dhe shpifjet e PD, që kërkon të manipulojë opinionin me histori djegie letrash në korridore, kur e di i madh e i vogël se çdo dokument zyrtar ruhet në Protokollin e Ministrisë dhe të çdo institucioni. Duke bërë publik këtë email, i cili dërgohet rëndom nëpër institucione për t’u tërhequr vëmendjen punonjësve, PD ka demonstruar edhe një herë se protokollet e sigurisë dhe masat disiplinore në MSHMS, funksionojnë më së miri.
Sikundër e kemi deklaruar që në krye të herës, Ministria e Shëndetësisë është e hapur për çdo hetim nga organet e drejtësisë. Njëkohësisht, i bëjmë në mënyrë të përsëritur thirrje PD që të ndalë fushatën e shpifjeve dhe të presë me durim fjalën e drejtësisë!”-thuhet në deklaratën e Ministrisë.