Policia ka sekuestruar 3.7 milionë euro pasuri të dy vëllezërve në Tiranë, me rekorde kriminale.
Policia thotë se ka sekuestruar 4 apartamente në Tiranë, 2 apartamente në Sarandë, 1 ambient biznesi trekatësh në Laprakë; 1 njësi tregtare, 1 palestër, 7 garazhe dhe dy aktivitete biznesi në Tiranë; 4 automjete BMW X5 dhe llogari bankare në euro, dollarë dhe lekë dhe gjendjen aktuale në këto llogari në tri banka të nivelit të dytë.
Dy vëllezërit Shkëlzen dhe Edmond Hoxha, të moshës 43 vjeç dhe 42 vjeç, ishin arrestuar në Belgjikë, si pjesëtarë të një grupi prostitucioni e droge. I pari është akuzuar dhe për një vrasje vite më parë, po në Belgjikë.
DETAJET E POLICISË
Finalizohet operacioni policor “Investimi”, për identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Vendosen sekuestro preventive ndaj pasurive të dy vëllezërve, të dy me rekorde të theksuara kriminale, pasuri që kapin vlerën e tregut rreth 3.700.000 euro.
Nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit policor “Investimi”, për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në funksion të procedimit penal të vitit 2019, pas provave të grumbulluara gjatë një hetimi njëvjeçar, u bë ekzekutimi i vendimit për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasve:
Sh. H. 43 vjeç dhe E. H., 42 vjeç, banues në Tiranë (vëllezër).
Shtetasi Sh. H. ka rekorde kriminale në shtetin e Belgjikës, ku ka kryer një vrasje para disa vitesh. Në vitin 2009 të dy vëllezërit Sh. H e E. H. dhe 4 shtetas të tjerë janë arrestuar nga Policia Gjyqësore Federale në Gent, Belgjikë, si pjesëtarë të një grupi kriminal, për veprat penale “Trafikimi i grave për prostitucion” dhe “Substancat narkotike”.
Shtetasi E. H. ka rekorde kriminale në shtetin e Belgjikës, ku ka qenë i përfshirë në hetime nga Prokuroria e Gentit/Belgjikë në dosjen “GIRANA” të vitit 2008, për veprat penale “Trafikim i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Në këtë dosje shtetasi E. H. ka qenë i dyshuari kryesor dhe është arrestuar në Belgjikë, në datën 02.02.2009. Gjithashtu rezulton se nga viti 2002 deri në vitin 2009, ka qenë i burgosur në Belgjikë, për veprën penale “Trafikim dhe shfrytëzim i prostitucionit”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të materialeve të dërguara nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bëri regjistrimin e procedimit penal në vitin 2019, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Pas një pune të mirorganizuar të strukturave të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë të udhëhequra dhe të koordinuara me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si dhe plan-operacionit “Investimi” u bë e mundur që të sekuestrohen asete dhe llogari bankare në shumën 3.700.000 euro, konkretisht:
4 apartamente në Tiranë, 2 apartamente në Sarandë, 1 ambient biznesi trekatësh në Laprakë;
1 njësi tregtare, 1 palestër, 7 garazhe dhe dy aktivitete biznesi në Tiranë;
4 automjete BMË X5 dhe llogari bankare në euro, usd dhe lekë dhe gjendjen aktuale në këto llogari në tri banka të nivelit të dytë;
Në funksion të planit operacional “Investimi”, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë po punohet për të identifikuar/zbuluar asete (prona) të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve dhe familjarëve të tyre, të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo bashkëpunëtorëve në këtë aktivitet kriminal.