Pas një muaji pa asnjë rast të ri, koronavirusi duket se është rikthyer në qytetin e Wuhani-t në Kinë, nga ku nisi pandemia në muajin dhjetor të 2019-ës.
BBC shkruan se Wuhan ka raportuar pesë raste të reja këtë të hënë, pasi konfirmoi dje rastin e saj të parë që nga 3 Prilli.
Autoritetet thanë se grupi i vogël i 6 rasteve, ishin të gjithë nga i njëjti kompleks banesash.
Kina ka qenë duke i lehtësuar kufizimet javët e fundit pasi rastet me COVID-19 ishin në rënie. Mirëpo autoritetet shëndetësore dhe ekspertët kanë paralajmëruar se ndërsa vendet dalin nga bllokimi dhe njerëzit lëvizin më lirshëm, ka gjasa që të ketë një rritje të numrit të infeksioneve.
Wuhan-i është i pari që doli nga bllokimi i rreptë në 8 Prill. Një nga pesë rastet e raportuara sot ishte gruaja e një burri 89-vjeçar që u bë dje rasti i parë i konfirmuar në qytet brenda rreth një muaji. Të gjitha rastet e reja ishin klasifikuar si asimptomatike – domethënë që rezultuan pozitivë për virusin, por nuk shfaqnin shenja klinike të tilla si kollë apo ethe.
Ndërkohë gjatë fundjavës, qyteti i Shulan në Kinë që ndodhet afër kufijve me Rusinë dhe Korenë e Veriut, raportoi 11 raste të reja.