Përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik dhe bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, deklaroi sot se reforma mund të miratohet para 31 majit nëse ka vullnet politik.
Ai dha një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik duke shtuar se lidhur me reformën nuk mund të riniset nga fillimi dhe se nuk mund të hapën çështje të reja.
“Nuk kemi të bëjmë me rifillim lloje por me vazhdimin e asaj ku e lamë. Nuk mund të rikthejmë më axhendat. Ka një metodologji të dakordësuar dhe nuk mund t’i rikthehemi lojës nga e para. Nëse ka vullnet politikk e mbyllim para 31 majit. Unë mund të kem listën time të dëshirave por kemi një dokument dhe s’mund të lëvizim nga kjo. Për gjërat që nuk ka dakordësi do i drejtohemi ODIHR-it.” – tha Gjiknuri.
Ai shtoi më tej se PS-ja pret propozimin e opozitës për KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor ndërsa foli edhe për votën e emigrantëve duke theksuar se për këtë çështje do vendosë KQZ-ja.
“Meqenëse është votë në distancë, këtë të drejtë ia kemi deleguar KQZ-së. Aktet rregullatorë të KQZ-së mund të përcaktojnë si mund të ushtrohet vota e emigrantëve. Ka një tendencë nga ana e opozitës për të fshirë atë që është arritur. Unë do bëj çmos që ne të kemi një marrëveshje deri më 31 maj. Po ka vullnet dhe po të nisemi nga parimet që kemi rënë dakord dhe rekomandimet e ODIHR ne mund të arrijmë marrëveshje dhe para 31 majit.” – shtoi Gjiknuri.