Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është futur në vetëizolim, për shkak se një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Europiane ka patur kontakt me një person që ka rezultuar pozitiv për COVID-19.
Kurti shkruan se do të punojë nga shtëpia derisa të dalin rezultatet e testit për zyrtarin në fjalë. Ai shton se punët do t’i kryejë me të njëjtin përkushtim si më parë.
“Të dashur qytetarë,
Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin.
Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE.
Do t’i kryejmë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë, do t’i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë.
Ju falemnderit.”– shkruan Kurti.