Presidenti i vendit Ilir Meta, ka reaguar për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Meta shprehet se sot edhe ai humbi një mik të mirë me të cilin kishte bashkëpunuar për më shumë se tre dekada.
Presidenti kujton se humbja nuk është vetëm për Akademinë e Shkencave, por edhe por sportin e peshëngritjes. Meta shkruan se Beqiraj kontribuoi për modernizimin e këtij sporti dhe arritjet e jashtëzakonshme nëpërmjet metodave të reja dhe frymës inkurajuese për të rinjtë.
“Me trishtim të thellë mësova lajmin e pabesueshëm të ndarjes nga jeta të Akademikut, Profesorit dhe mikut tim Gudar Beqiraj.
Një lajm që trishton të gjithë botën akademike, kolegët e tij të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të shkencave të natyrës, të informatikës dhe të të gjithë universiteteve, me të cilët punoi dhe bashkëpunoi për një kohë të gjatë me shumë profesionalizëm dhe përkushtim të veçantë.
Lajmi i sotëm trishton edhe botën e sportit, veçanërisht atë të peshëngritjes, me të cilin ishte i lidhur që në rininë e tij të hershme dhe për të cilin vazhdoi deri në frymën e fundit të kontribuojë pa u lodhur.
Ai kontribuoi për modernizimin e këtij sporti dhe arritjet e jashtëzakonshme nëpërmjet metodave të reja dhe frymës inkurajuese për të rinjtë duke u bërë një shembull dhe model në promovimin e miqësisë dhe solidaritetit olimpik, edhe në nivel ndërkombëtar.
Edhe unë humba sot një mik të vjetër, me të cilin, për më shumë se tre dekada kam bashkëpunuar duke zbuluar tek ai një zemër të madhe, një karakter të fortë, një mençuri largpamëse dhe një kurajë për të marrë vendimet e duhura, gjithmonë në të mirë dhe në dobi të shkencës, të sportit dhe të të mirës së përgjithshme.
Ngushëllimet e mija të thella dhe të sinqerta familjes, bashkëshortes Afërditës, vajzës dhe të gjithë të dashurve, të afërmve dhe miqve të tij.”– shkruan Meta.
Gudar Beqiraj u nda nga jeta sot, pikërisht në ditën ku do të festonte 72-vjetorin e lindjes.